Në mars të vitit 2019, hidrauliku Xhejms Anderson mori një telefonatë, pa e ditur se ajo do t’i ndryshonte jetën. E kishte telefonuar një i moshuar, i cili kërkonte të blinte dhe të instalonte një boiler të ri, pasi në banesë nuk kishte ujë të ngrohtë. Xhejms shkon në shtëpinë e tij, për të mësuar se i moshuari ishte i sëmurë dhe shumicën e kohës i duhej të qëndronte në shtrat. Çdo ditë tek shtëpia e të moshuarit shkonin infermierë, gjendja e tij shëndetësore ishte jo e mirë.

I moshuari i tregon hidraulikut se nuk kishte ujë të ngrohtë në shtëpi. Xhejms Anderson nis të punojë por nuk po gjente dot se ku ishte problemi. Objekti bënte një zhurmë të çuditshme. Në përpjekjen e tij të fundit për të rregulluar problemin, hidrauliku gjeti brenda bojlerit një gazetë. Hidrauliku që kishte shkuar më parë, në fakt e kishte vendosur gazetën për ta bllokuar bojlerin e për t’i marrë të moshuarit më shumë para për instalimin e një të riu.

“Ai njeri kishte përfituar nga fakti se i moshuari s’mund të kujdesej për veten”-kujton hidrauliku, i cili kishte telefonuar më tutje në kompaninë ku punonte ‘keqbërësi’. Pas ngritjes së problemit, kompania kishte ardhur, i kishte instaluar një bojler të ri të moshuarit e madje i kishte dhënë dhe para për kompesim.

Që nga ajo ditë, Xhejms Anderson vendosi që në punën e tij të kujdeset për të pambrojturit e veçanërisht për të moshuarit nga njerëz që tentojnë t’i vjedhin e t’i mashtrojnë. Hidrauliku krijoi një shoqatë bamirëse të vogël, e cila do t’i shërbente njerëzve në nevojë, të gjitha riparimet apo rregullimet pa asnjë pagesë. Paratë për të ndihmuar nevojtarët, ky burrë i paguante nga xhepi i tij dhe nga ato donacione që vinin prej njerëzve.

E për ta mbajtur gjallë punën e “sipërmarrjes” së tij bamirëse, 54 vjeçari mbylli biznesin e tij vetëm e vetëm që t’i përkushtohej nevojtarëve.

“Unë jam 54 vjeç. Kam shkuar nëpër pushime, kam patur makina e kam ngrënë në ristorante të shtrenjta. Nuk kam nevojë t’i provoj sërish këto gjëra. Por është kënaqësia e detyra ime që të ndihmoj ata njerëz që nuk kanë mundësi”-tha hidrauliku për ‘The Guardian’.

Ky njeri i thjeshtë përgjatë viteve ka arritur të ndihmojë afro 19 mijë persona, nga punët më të vogla riparuese deri tek blerja e pajimeve të reja. Siç tregon hidrauliku, puna me nevojtarët i ka mësuar shumë.

“Më ka bërë të kuptoj se ti me të vërtetë mund të kalosh pranë një shtëpie e cila mund të duket normale… por ti nuk e di se çfarë ndodh brenda. 90% e njerëzve që ne ndihmojnë, jetojnë në kushte varfërie e për gjendjen e tyre nuk u thonë askujt… vizitova njëherë një çift të rinjsh që kishin dy djem fare të vegjël. Aty (në shtëpi) ngrije të ftohtit. Kur nëna e atyre fëmijëve po më fliste, i kërcisnin dhëmbët… kur i riparova problemin ajo nisi të qajë, më tha se e vetmja gjë që deshte, ishte të mbante fëmijët ngrohtë”

Xhejms Andreson beson verbërisht se komuniteti, njerëzit, kanë pushtetin e mundësinë që të bashkuar, të sjellin ndryshimin.

“Ne kemi një detyrë e përgjegjësi si njerëz për t’u kujdesur për të varfrin, për të moshuarit, për të pambrojturit… jo t’i injorojmë ata e të themi se janë problem i dikujt tjetër”-thotë Anderson.

Burimi: The Guardian/ Përshtati me shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re