Nga Vangjel Buda

* Kurrë nuk ma kishte marrë mendja se do të vinte një ditë që edhe unë do të gjeja veten të ndërtoja një shkrim historik kësisoji, ndoshta më origjinal se asnjë tjetër nga çfarë kam shkruar deri më sot.
* 52 vjet më parë, më 21pril 1974, vajzat e talentuar të volejbollit beratas fitojnë 3-0 me Dinamon e madhe duke u shpallur NËN-KAMPIONE të Shqipërisë, për herë të parë dhe të fundit në historinë e volejbollit beratas.

Kjo është ngjarja më e madhe e krejt volejbollit beratas, të harruar, e “zhdukur” nga harta sportive e sportit beratas.

Ngjarja për historinë tonë është e jashtëzakonshme. Madje mendoj se ajo hyn në tre ngjarjet më të bujshme në vetë historinë e volejbollit beratas. E para është ajo e Kupës së Shqipërisë 1974 – Tomorri në fazën finale. Ngjarja e dytë është ajo e Spartakiadës së Tretë Kombëtare – Vendi i Tretë. Ngjarja e tretë është jo thjesht një histori e bukur, e pasur dhe plot ngjarje të paharrueshme. Fati e deshi që pikërisht më 1974, volejbolli i vajzave beratase të arrijë suksesin unikal të saj, duke u bërë Nënkampione e Kampionatit Shqiptarë. Në fillim të aktiviteteve kombëtare askush nuk do të besonin që lojtaret e Tomorrit të bënin një sezon të mrekullueshëm, ato qenë krejt jashtë, si një ishull i izoluar, por lojtaret kishin vendosur të luftonin kundra të gjithëve.
Trajneri ende pa shumë reputacion asokohe, por figurë e shquar e sportit të Tomorrit të Naftëtarit dhe atij Kombëtar, Njazi Shehu, në heshtje e modesti shembullore, nisi kësisoji më të madhen aventurë të jetës dhe të volejbollit të qytetit të tij.

Po. Ka qënë 30 shtator 1973, Java e parë e Kampionatit fitore e bukur në Elbasan me Labinotin vendas 1-3. Dhe papritmas Tomorri në krye të renditjes. Askush mendonte ndërkaq, se sa fatal do të ishte ky kryesim simbolik, sidomos për skuadrën e kryeqytetit Dinamon e Ela Tasa dhe Kreshnik Tartari. Kjo do ti ishte skuadra e cila në fund të kampionatit do kurorëzohej Nënkampione e Shqipërisë, çka atë ditë askush nuk do ti shkonte ndër mënd…..
Shtatë ditë duke pritur një çast të tillë “të lumtur” është fitorja 3-1 me Vllazninë! Tomorri kërkon të shohë larg. Mbas shtatë ditësh Flamurtari i dhuron një 3-1të papërmbajtshëm në Vlorë beratesve dhe Tomorri zbret nga vendi i parë në të tretin. Në javën e katër berateset fitojnë me 17-Nëntorin 3-1. E, në javën e pestë vjen humbja e dytë me rezultatin e ngushtë 3-2, me Skënderbeun kampion sezonin e kaluar. Fiton në Dajtin 3-1 në Berat në javën e gjashtë. Vajzat e trajnerit Shehu i dorëzohen 3-1 Dinamos në Tiranë bie në vendin e katërt. Kështu Tomorri harrohet me shpejtësinë e harimit të ëndrrave. Kështu si pa zhurmë mbërrijmë te dy fitoret në javët e fundit me Studentin dhe me Luftëtarin 3-0, të dyja në Berat. Nuk bëjnë përshtypje të fortë as këto fitore.
A i kishte shkuar ndërmend Njazi Shehut, se ky ekip që ai drejtonte, ai e përcakton me një saktësi kur deklaron:
“Përvoja e M. Dogës, Gjogut, Xhaferit, Elezit, merr ngjyra të reja, vlera të veçanta kur kanë përkrahë vrullin e N. Dogës, Turkut, Gogu, Kalluçi.
Padashur kishte rreshtuar NËN-KAMPIONET e Shqipërisë, Njazi Shehu tashmë e kishte nisur misionin e tij historik.

Duhej pritur rifillimi i Kampionatit, 10 mars 1974….
Po përpara kësaj përjetohej një dramë e vogël për berataset. Ato renditen në vendin e pestën në fazën Finale e Kupës së Shqipërisë në volejboll. Tjetër gjë kupa, tjetër Kampionati.
Në fazën e dytë, është “Tomorri”, ai që ndjehet me të gjithë atributet, zot shtëpie. Nuk mund të ishte rastësi. Në fazën e dytë në të vërtetë është zotësi, madje jo e vogël. Një Gjogu, një Elezi, një Xhaferi, një Turku, një Gogu, motrat Doga, një Kalluçi një brez i tërë volejbollistesh të reja që sapo i kanë dhënë vitalitet lojërave të bukura beratase, të cilat trajneri Njazi Shehu ia ka ngulitur besimin e fitoreve.
Dhe 3-0 Labinotit, në Berat java e dhjetë, 3-2 Vllaznisë në Shkodër në të 11-tën, java e 12-të, 3-1 Flamurtarit në Berat, dhe mbas kësaj humbja e ngushtë e vetmja e kësaj faze 3-2 me 17-Nëntorin e luftuar deri në fund. 3-1 kampiones në fuqi Skënderbeut në Berat në të 14-ë javë dhe një javë më vonë 3-0 më Dajtin në Tiranë. Dhe fitorja sensacionale 3-0 Dinamos në Berat dhe Tomorri në vendin e dytë. Kjo është ajo, dita fatale për skuadrën kryeqytetase ku për 28 minuta pëson humbjen e parë sezonale. Volejbollistet dhe trajneri Shehu festojnë me tifozerinë e mrekullueshme të beratit.Për Tomorrin dy fitoret në javët e fundit më Studentin 0-3 dhe 2-3 me Luftëtarin ishin fitore të një ekipi të konfirmuar.
Ajo me të cilën, ne jemi krenarë, për historinë në vite e dekada janë lojtaret cilësore dhe të talentuara beratase. Ai ishte një formacion thuajse i ri, vetëm 18.2 vjeçe mosha mesatare.
Siç kam shkruar në arkivin tim, emrat e GDHENDUR me “Gërma të Arta” ishin: Ollga Gjogu 19 vjeçe, kapitene e paharrueshme, Natasha Doga, 15 vjeçe – një shutere e artë e volejbollit; Lubjana Xhaferi 19 vjeçe – e kudo ndodhur; Pranvera Elezi 19 vjeçe – një sulmuese e papërmbajtshme: Margalina Doga 20 vjeçe rendimente e sulmit, Eduarta Turku 19 vjeçe, mjeshtre e pasimeve. Dhe mandej: Vasilika Gogu, 18 vjeçe pasuese e pagabueshme, Jeta Kalluçi 19 vjeçe rendimente në vijën e dytë. Dhe më tej; Nurisha Selimi, Sadeta Feka zëvendësueset me të ardhme. Këto protagoniste nuk u vlerësuan as në 100-vjetorin e themelimit të Klubit (përveç Ollga Gjogut dhe Lubjana Xhaferit), të gjitha janë harruar nga institucionet përkatëse, dihet se Volejbolli është lojë grupi dhe jo individual.
Ky ishte Volejbolli i Vajzave Tomorri i shndërruar, i përtërirë, vepër e trajnerit Njazi Shehu, kryesisht e themeluar prej shkollës dhe aftësive të tij. Ishte një tjetër kthesë befasuese në historinë e volejbollit beratas.
Por, Madhështia e Ollga Gjogut shkatërrohet prej ndalimit të një shteti po kaq të pamëshirshëm, duke rrënuar jetën e pafajshme të një prej lojtareje nga më të mëdha të volejbollit beratas, të një talenti të përmasave europiane. Natasha Doga i hiqet e drejta për të luajtur volejbollin e saj të shkëlqyeshëm, jashtë Shqipërisë me prishjen e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë dhe e pamëshira “biografi” shuan ëndrrën nga Kombëtarja të një tjetër talente e pazëvëndueshme siç ishte Pranvera Elezi. Trajnerin Njazi Shehu e detyrojnë të japi dorëheqjen, dhe e transferojnë mësues shkolle edhe këtu nxorri plot talente. Kanë ndodhur edhe këto në Shqipërinë tonë, fatkeqësisht sot të harruara tashmë, të pakujtuara përsëmbari, të flakura tej si episode të mjegullt, kur kanë qenë aq të qarta madje, diçka që për fat të keq shumkush nuk don t’i mbajë as në histori.
Ky ishte triumfi, po dhe sfida e pashlyeshme historike e skuadrës së paharrueshme e volejbollit të Tomorrit 1974, ku edhe sot mbas 52 vjetëve, mbetet një monument i volejbollit të tij.

 

“AHSVB”
Të gjitha të dhënat janë marrë nga “Arkivi Historik I Sportit Vangjel Buda”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re