Sa herë që afron ndeshja Tirana – Tomori në Berat kjo atmosferë ndihet ndryshe nga një sfidë normale. Ndeshja e fazës së parë u luajt në Kuçovë për shkak të sistemimit të fushës së stadiumit “Tomori’’ ndërsa këtë herë skuadra beratase do të jetë mik në Tiranë.

Tirana dhe Berati kanë qënë dy qendra të rëndësishme historike dhe kulturore që në periudhat më të hershëm dhe të tilla do të ishin edhe në sport, veçanërisht në futboll. Të dyja skuadrat e futbollit janë krijuar në të njëjtën periudhë, si shoqëri sportive dhe kulturore por në të dy rastet futbolli do të merrte një rol parësor.

Por ecuria në vazhdim do të ishte krejt e ndryshme pasi Tirana do të fitonte që në kampionatin e parë dhe deri tani numëron plot 24 tituj kampion. Në krahun tjetër Tomori në historinë e vet gati 95 vjeçare nuk e ka shijuar ende një titull.

Pavarsisht kësaj për Tiranën edhe pse në përballjet direkte është superiore nuk e ka pasur gjithmonë aq të thjeshtë të fitonte ndaj beratasve e sidomos në Berat. Për Tomorin ashtu si për çdo skuadër rrethesh të arrije të merrje rezultat ndaj skuadrave të kryeqytetit sidomos në periudhën e komunizmit ishte një çështje krenarie.

Tomori bënte shpesh ato ulje – ngritjet normale sportive në kampionatin tonë edhe në varësi të brezit që kishte ndërsa bardheblutë gati përherë ishin një ndër skuadrat që luftonin për titull. Pas viteve ’90 kur nën ndikimin e ndryshimeve politiko – ekonomike edhe futbolli u përfshi në këto ndryshime. Tirana sërish ia doli të përfitoj sepse presidentët apo donatorët e saj ishin ndër më të fuqishmit në treg, gjë që u lejonte të afronin në skuadër emra të rëndësishëm të futbollit shqiptar, si në fushë edhe në drejtim. Ndërsa Tomori bazohej në elementin vendas por edhe në ato pak afrime që arrinte të realizonte.

Përherë të parë të dy skuadrat patën një përballje të vërtetë në sezonin 1999 – 2000. Ishte koha kur Shqipëria dhe futbolli i saj vinte pas situatave të krijuara nga viti i mbrapshtë 1997 dhe në shumë qytete futbolli nuk ishte përparësi qoftë kjo edhe përparësi argëtimi. Atë sezon sërish Tirana cilësohej skuadra më e mirë por në pjesën më të madhe të kampionatit u rivalizua nga Teuta dhe Tomori ku fare mirë mund të cilësohet kampionati i 3T-ve.

Tomori atë sezon kishte ndërtuar një skuadër simpatike sërish e bazuar në elementin vendas qofshin këta futbollist me eksperiencë apo edhe të rinj dhe disa blerje modeste. Në fundin e kampionatit Tirana dhe Tomori e mbyllin me pikë të barabarta. Kush duhet të ishte e para? Kush duhej shpallur kampion?.

Sipas asaj që kanë përmendur shpesh protagonistët e atij sezoni në rastin që dy skuadra e mbyllnin me pikë të barabarta, atëherë fitonte skuadra që kishte grumbulluar më shumë pikë në ndeshjet direkte. Barazimi 0-0 në Tiranë dhe fitorja e Tomorit 1-0 në Berat ia jepnin këtë mundësi Tomorit, që për herë të parë të shpallej kampion i Shqipërisë. Por në javët e fundit FSHF ndryshoj gjithçka duke vendosur se në rastin e një barazimi me pikë e gjitha do të vendosej në një finale shtesë.

Finalja për titullin e vitit 2000 u luajt në Elbasan dhe koha e rregullt bashkë me shtesat u mbyll në barazim edhe pse Tomori një pjesë të mirë të ndeshjes e luajti me një futbollist më pak. Gjithçka do të vendosej nga penalltitë dhe në fund Tirana fiton 5-4. Një shans i madh i humbur për Tomorin, i cili nga ajo kohë nuk i është afruar më sa duhet titullit. Madje edhe më keq sepse vetëm dy sezone pas titullit nënkampion, Tomori zbriti një kategori më poshtë. Nga ai moment nisi një kalvar i gjatë vuajtjesh për tifozerinë beratase duke luajtur në nivelet më të ulta të kampionatit. Nga ajo periudhë Tomori e ka vizituar vetëm dy herë Superioren ndaj edhe ndeshjet ndaj bardhebluve kanë qënë me pikatore. Por sa herë që këto dy skuadra janë përballur për tifozët beratas ka sjell një emocion të veçantë dhe kështu do të jetë edhe këtë herë. Këtë sezon është Tirana që ka zbritur një kategori më poshtë dhe në rastin më të mirë Tomori ka mundësinë për tu përballur 4 herë me ta dhe sërish për tifozët dhe historinë e Tirana – Tomori është një element i veçantë./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re