Në një kohë kur tabloidi Daily Mail shkuan se ambasadori shqiptar në Britani në vitin 1998 kishte hyrë ilegalisht në Angli, media të tjera në Londër zbulojnë arritjet e suksesshme të Uran Ferizit dhe ambiciet e tij.

The Spectator shkruan se ambasadori i ri i Shqipërisë në Britani ka qenë vetëm 17 vjeç kur emigroi dhe nuk kishte asgjë përveç rrobave të trupit.

Alasdair Palmer, autori i shkrimit tregon bisedën me Uran Ferizin, të cilin e ka njohur qysh nga koha kur ai kishte mbërritur për herë të parë në Britani.

“Ai më tha se kishte qenë i vendosur të shkonte në Britani që kur ishte 15 vjeç. Ai vendosi se donte të studionte në Universitetin e Oksfordit, sepse babai i tij kishte përmendur një arsim në Oksford si një shembull të diçkaje që djali i tij nuk mund ta arrinte. Kjo e kishte mbushur Uranin e ri me një dëshirë të fuqishme për t’i treguar babait të tij se kishte gabuar. Ai ndjeu se nuk kishte të ardhme për të në Shqipëri. Prindërit e tij kishin humbur pjesën më të madhe të kursimeve nga firmat piramidale”, tregon Palmer në shkrimin e The Spectator.

Palmer tregon edhe udhëtimin e vështirë që adoleshenti Uran Ferizi ndërmori në atë kohë,  për të mos hequr dorë nga shkuarja në Oksford

“Sapo mbërriti në Dover, Urani kontaktoi këshillin lokal. Duke qenë se nuk i kishte mbushur ende 18 vjeç, ishte i mitur dhe shërbimet sociale duhej të kujdeseshin për të. Atij iu dhanë 20 paund dhe një vend për të qëndruar. Por ai donte të shkonte në Oksford. Ai mori një tren për në Londër. Aty ai kontaktoi shërbimet sociale, të cilët i gjetën një dhomë që ndante me një tjetër emigrant.

Detyra e parë e Uranit ishte të gjente një punë. Pas katër ditësh ecje nëpër Londër, duke u ndalur në çdo vend që kishte një tabelë jashtë që ofronte punë, ai u punësua duke larë enët në një restorant grek në Islington. Ai gjithashtu filloi të ndiqte klasat e mbrëmjes, fillimisht për të përmirësuar anglishten e tij, më pas për të marrë nivelet A, të cilat ai e dinte se i duheshin nëse do të arrinte në Oksford. Ai takoi edhe vajzen që do të bëhej gruaja e tij. Edhe pse ai e donte atë – ai e kujton gjallërisht si ‘të bukur dhe të zgjuar’ – martesa u prish për shkak të çështjes së fëmijëve dhe Oksfordit. Ai ishte i vendosur të shkonte në Oksford. Ajo i tha atij se duhej të zgjidhte mes saj dhe Oksfordit.

Ai zgjodhi Oksfordin dhe ata u divorcuan.

Urani kaloi nivelin A të matematikës dhe fizikës me notën A. Ai aplikoi në Kolegjin Universitar të Oksfordit. Ai u thirr për një intervistë dhe mori testin e matematikës në kolegj. Për kënaqësinë e tij të pakufizuar, atij iu ofrua një vend për të studiuar inxhinieri. Por ai ishte ende një emigrant ilegal. Ai nuk mund ta zinte atë vend derisa statusi i tij të rregullohej. Ai shkoi në Lunar House në Croydon, qendra e Home Office për viza dhe imigrim. Ai u dërgua te një zyrtar i cili i shpjegoi Uranit se ai mund ta dëbonte atë tani. Urani i tregoi zyrtarit letrën nga Oksfordi. Ai i tha zyrtarit se kishte një zgjedhje: ai mund të shkatërronte të ardhmen premtuese të një të riu duke e dëbuar atë. Ose mund t’i jepte mundësinë të shkonte në Oksford dhe të bënte diçka të dobishme me jetën e tij.

Zyrtari i tha Uranit të priste jashtë zyrës së tij ndërsa ai konsultohej me kolegët e tij. Pas asaj që dukej një përjetësi, u thirr Uran Ferizi. Zyrtari i dha një copë letër. Në krye thuhej: Leje për qendrimi pa afat.

Uran Ferizi më vonë aplikoi dhe mori nënshtetësinë britanike. Për t’u bërë ambasador i Shqipërisë në Londër, atij i është dashur të heqë dorë nga shtetësia britanike, siç e kërkon statusi diplomatik. Ishte një vendim shumë i dhimbshëm. Të qenit britanik është shumë e dashur për të: borxhi i mirënjohjes që ai ndjen ndaj këtij vendi është kolosal. Ai është siguruar se mund të riaplikojë sapo të mbarojë koha e tij si ambasador i Shqipërisë”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re