Nga Franc Gjergji

Dita e dytë e prillit të vitit 1991 e gjeti Gjovalin Dushajn në Pallatin e Kulturës në Fushë-Arrëz, ku punonte prej vitesh. Një lajm nga Shkodra do ta ndërpriste rutinën e përditëshme të tij dhe të kolegëve, dhe do të ngulej si shigjetë mespërmes trupit të Shqipërsië, edhe ashtu të tronditur nga zhvillimet politike të fundit të ‘90-tës dhe fillimit të atij viti. Katër të rinj ishin vrarë, në një demonstratë anti-komuniste, para Komitetit të Partisë së Shkodrës.

Sapo mori vesh lajmin, Gjovalini e la punën dhe shkoi në shtëpi ku u ul dhe hodhi në letër disa vargje që më vonë do të bëheshin ‘hit’ në Shkodër, Pukë dhe në veri të Shqipërisë. Sot, 30 vite më vonë, ai e kujton ende revoltën e asaj dite.

Me atë zemërim shkon dhe takon Bardhyl Hysën, koleg dhe shef muzike në Pallatin e Kulturës të qytezës.  I jep tekstin dhe po atë ditë kompozitori i vesh ato vargje dhimbjeje dhe revolte me muzikë.

Hapi tjetër ishte thuajse i paramenduar. U mblodh grupi orkestral i Pallatit të Kulturës së Fushë- Arrëzit dhe tre këngëtarët e njohur pukjanë Dava Gjergji, Gëzim Ahmeti dhe Pjetër Qafa e kthyen në këngë tekstin e Gjovalin Dushajt dhe muzikën e Bardhyl Ahmetit.

Kjo këngë solidariteti, në kushtet e asokohe pa celularë, pa You tube, me një televizion shtetëror që ende i jepte hapësirë vetëm zërit të Partisë së Punës në pushtet, ishte e destinuar të mbetej në Fushë-Arrëzin e vogël. Shkodra nuk ishte më shumë se 80 kilometra larg, por në vitin 1991 ato ngjanin si 8 mijë.

Edhe për një arsye tjetër, që sot mund të duket e çuditshme, por atëherë ngjante krejt normale.

Shkodra dhe Puka ishin ‘në gjak’. Kjo vendetta përfshinte edhe Fushë-Arrëzin dhe lidhej me një zgjedhje politike që shkodranët nuk ua falnin pukjanëve. Në zgjedhjet e fundit për Kuvendin (asokohe Popullor), ndërsa Shkodra kishte votuar në masë për kandidatë e opozitës demokratike, Puka kishte mbetur ende me komunistët e Partisë së Punës.

Gjovalin Dushaj, 30 vjet pas episodit të prillit 1991 që shkriu akujt mes Shkodrës dhe Pukës, ka ndërmarrë një sfidë tjetër. Ai është kandidati për deputet i Bindjes Demokratike për Pukën, pjesë e qarkut të Shkodrës.

Gjovalini kujton se makinat me targa të Pukës, kryesisht mjete të rënda që ulnin në Shkodër apo në Ultësirën perëndimore trupa dhe lëndë të tjera drusore nga pyjet e pasura të zonës, ndaleshin sapo zbrisnin së teposhtës që të fut në Vaun e Dejës dhe ngarkesave të tyre u vihej zjarri.

Pukjanët ishin të shpallur non grata në Shkodër.

Gjovalini, bashkë me artistët e tjerë pukjanë vendosën të niseshin për në Shkodër për të marrë pjesë në dhimbjen dhe revoltën e qytetit.

“Jemi nisur nga Fushë-Arrëzi për në Shkodër me një autobus ku ishin futur mbi 60 vetë”, kujton ai. E vetmja grua në autobus ishte këngëtarja Dava Gjergji.

Para dhe pas autobusit në dy tabela me kartona të asaj kohe u shkrua ‘Sindikata e pavarur Fushë -Arrëz”. Nuk u gjet mënyrë tjetër për të zbutur disi atë që i priste kur të futeshin në kufijtë e Shkodrës.

“Kur mbërritëm në Vaun e Dejës na dolën para rreth 15 ‘horra’, e ndaluan autobusin dhe na thanë ku po shkoni”, kujton Gjovalini.

Shkojmë të solidarizohemi me katër të vrarët në Shkodër dhe familejt e tyre, ishte përgjigjia.

Njerëzve ‘të pritës’ u thanë se artistët nga Fushë-Arrëzi kishin bërë edhe një këngë për katër të rënët. Në negociatë e sipër të gjithë artistët, bashkë me udhëtarët e tjerë, zbritën nga autobusi. Këngëtarët dhe instrumentistët hipën në një rimoriko zetori të braktisur me kapakët e hapur dhe ia filluan këngës.

Gjovalini tregon se gjithë trysnia e fillimit u shndërrua në pozitivitet. Jo vetëm shtrëngimet e duarve, përqafimet dhe urimet, po pasoi edhe shoqërimi me makina deri në Shkodër.

“Kur erdhëm në Shkodër unë kisha shokun tim Zef Deda të ngujuar në grevën e urisë me një grup shkodranësh në restorant ‘Moska’, me qëllim rrëzimin e qeverisë socialiste”, thotë Gjovalini. Një ide për të shkuar te grevistët nuk u prit me entuziazëm, por kur morën vesh se bëhej fjalë për një grup artistësh që kishin ardhur nga Fushë-Arrëzi u ulën mburojat. Grupi i pukjanëve shkoi te ‘Moska’ dhe e kënduan këngën në ballkonin e vogël të restorantit. Poshtë në shesh ishin mbledhur njerëz të shumtë të cilët e kërkuan dy herë këngën, si të ishte një bis në një ngjarje kulturore në kohë normale.

Nga restorant ‘Moska’ artistëve u prinë te sheshi ku u vranë katër të rinjtë, para Komitetit të Partisë së Shkodrës. Një skenë prekëse e bëri ngjarjen edhe më tronditëse. Në mënyrë që grupi i këngëtarëve të mund të dallohej në gjithë atë turmë, njerëzit u ulën në gjunjë.

Kënga për Shkodrën dhe bijtë e saj të vrarë u këndua dhe u përsërit. Gjovalini tregon se interpretimi është përcjellë me lot nga burra e gra. Një ‘kthesë’ tjetër u shfaq në turin e artistëve kur u përcoll lajmi se Artan Broci, vëllai i Arbenit të vrarë, ndodhej i plagosur në spitalin e qytetit. Gjovalini me artistët u nisën për atje dhe e interpretuan këngën në korridoret e spitalit.

Të tilla ishin emocionet e atyre ditëve në Shkodrën e lënduar, sa të sëmurët dilnin nga dhomat në korridor me shishet e serumit nëpër krahë për të dëgjuar këngën. Nga spitali grupi është nisur për në shtëpitë e katër dëshmorëve të vrarë për të kryer ritin e ngushëllimit apo ‘pirjes së kafes’.

Ndalesa e fundit në qytet ka qenë Radio Shkodra ku artistët pukjanë incizuan këngën.

Kur morën rrugën mbrapsht për në Fushë-Arrëz në të njëjtin vend, në Va të Dejës, ku në ardhje u kishte dalë para një pritë armiqësore, u është kërkuar që ta këndojnë edhe njëherë këngën, tashmë të famshme.

Kërkesat për ta dëgjuar live këngën nuk kanë reshtur gjatë gjithë rrugës dhe grupi është detyruar të ndalojë në të gjitha fshatrat përgjatë itinerarit nga Shkodra për në Fushë-Arrëz.

Që atë ditë makinat që vinin nga Puka nuk ndaleshin më. Një këngë e Gjovalin Dushajt dhe artistëve nga Fushë-Arrëzi për gjakun e katër shkodranëve të vrarë nga regjimi komunist, kishte mjaftuar që Shkodra dhe Puka të mos ishin më në ‘gjak politik’.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Politiko.al (@politikoal)

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re