Sakib Ademoviç është 70 vjeç. Prej afro 3 dekadash ai jeton në afërsi të Prizrenit edhe pse në mendje e zemër, dëshira është për të shkuar në vendlindjen e tij në Bosnje e Hercegovinë.

Sakibi veçse nuk ka mundësi të shkojë për vizitë në fshatin e tij të lindjes, pasi nuk ka dokumente të vlefshme udhëtimi… as të Kosovës, as të Bosnje Hercegovinës.

Ai u largua nga vendlindja pas nisjes së luftës në Bosnje. Disa prej familjarëve u vranë në luftë ndërsa pronat iu dogjën. Familja u përpoq të gjende strehim jashtë Bosnjes e mandje u detyrua të largohet.

“Vëllai im Nijazimi, i cili në atë kohë ishte afër Sarajevës, kërkoi nga një shok i tij i shkollës, një serb, i cili ishte pilot helikopterësh, që të na nxirrte disi nga Han Pijesaku dhe të na dërgonte në një vend ku nuk kishte aq shumë rrezik… Ai na informoi se kur dhe ku ta prisnim në qytetin Sokolac [afër Sarajevës]. Ai transportonte të plagosurit nga Pale [një komunë në Sarajevën lindore, pjesë e Republika Sërpska]. Sipas marrëveshjes, shkuam atje dhe më pas na transportoi në Batajnicë të Beogradit. Pas kësaj, piloti vazhdoi punën e tij dhe ne erdhëm në Kosovë, ku kisha një motër në fshatin Korishë, afër Prizrenit”, tregon Sakibi për Radion Evropa e Lirë.

Sakibi jetoi disa kohë me të motrën e më tutje shkoi në Prizren ku punoi në bujqësi. Pak kohë pas kësaj prindërit e tij ndërruan jetë, ndërsa i vëllai u largua nga Kosova. Sakibi tregoi se shpesh mbeste pa punë, deri kur u takua me Ismetin, një shqiptar zemërmirë i cili e ndihmoi me punë dhe një kulm mbi kokë.

Sakibi thotë se për këtë i është mirënjohës Ismetit, ndërsa vitin që lamë pas ai shkoi për herë të parë në zyrën komunale për të kërkuar që të zgjidhë statusin e tij në Kosovë, e rrjedhimisht të pajiset me dokumenta. Megjithatë, Sakibi ende nuk arrin të shpjegojë pse ka pritur kaq gjatë për të zgjidhur këtë çështje.

Sakibi thotë se ka vetëm një letërnjoftim të lëshuar në periudhën kur ishte Republika Federale e Jugosllavisë, certifikatën e lindjes dhe një vërtetim se është shtetas i Bosnjë e Hercegovinës. Marrja e dokumentave të Kosovës, do t’i mundësonte të drejtën e pensionit apo ndihmës sociale. Por deri më tani, sipas zyrës komunale i moshuari nuk i plotëson kushtet për t’u pajisur me dokumente.

Refki Alija (REL)

Në komunën e Prizrenit rezulton po ashtu se Sakibi ka qenë i regjistruar si refugjat në vitin 1999 në Kukës, pasi ai njëlloj si shumë shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, u dëbua (nga fshati Korishë).

Nga Komuna iu premtua REL-it se çështja e të moshuarit është në diskutim. Komuna thotë se është gati t’ia ndërtojë një shtëpi Sakibit, por problemi qëndron se ai nuk ka tokë në emër të tij dhe as dokumente të Kosovës.

Për të marrë shtetësinë (me natyralizim), personi i huaj duhet të jetë i moshës madhore në ditën e aplikimit, të ketë qëndruar në Kosovë pa ndërprerë për pesë vjet pas marrjes së leje qëndrimit të përhershëm, dhe të posedojë mjete materiale të mjaftueshme për të siguruar jetesën e vet dhe të personave për mbajtjen e të cilëve është përgjegjës, pa shfrytëzuar skemat e asistencës sociale.

Përshtatur me disa shkurtime, burimi: REL

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re