Historia e rrallë/ I riu nga Kosova i shkruan ministrit italian, kërkon me ngulm mikun e tij: Para disa ditësh u bë virale në rrjetin social “Twitter” një histori e bukur. Një i ri nga Gjakova ka kërkuar të rigjejë një ushtar italian me të cilin ka pozuar në vitin 1999 gjatë kohës së luftës.

Shpend Lila ka publikuar foton dhe ka etiketuar Ministrinë e Mbrojtjes në Itali për ta ndihmuar në “misionin” e tij për ta rishkrepur foton në të njëjtin vend, plot 21 vite më pas.

“I dashur Ministër, kjo është një fotografi e imja me një ushtar italian në vitin 1999. Ju lutem më ndihmoni ta gjej atë që të mund ta ribëjmë këtë foto në Gjakovë, Kosovë Do të ishte e shkëlqyer,”-shkruan Lila.

E nuk ka zgjatur shumë dhe rrjeti i ka ardhur në ndihmë të riut, duke e çuar foton në vendin e duhur derisa Ministria ka gjetur ushtarin. “I dashur Shpend, kemi marrë një lajm të mirë për ju: ne kemi gjetur ushtarin në foton tuaj. Ju lutemi na dërgoni detajet e kontaktit privatisht në mënyrë që ai të kontaktojë me ju”.

Ditën e sotme ai ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, ku zbuloi për herë të parë arsyen se pse po kërkon pikërisht atë ushtar dhe jo një tjetër.

“Gjatë kësaj pandemie i jemi rikthyer fotografive të vjetra, kujtimeve të shumta. Dua të takoj këtë ushtar, pasi është i vetmi që kam foto me të. Nuk kam foto tjetër me ushtarët e tjerë të asaj kohe. Dëshiroj që ta takoj e ta falënderoj për atë çfarë kanë bërë ushtarët e NATO-s dhe Italisë. Dua t’i them se nuk e kemi harruar ndihmën e tyre për çlirimin e vendit”, tha ai.

Shpendi gjithashtu tregoi edhe brengën e vetme që kishte. “Nuk e dija nëse ishte gjallë apo jo. Kjo ishte brenga ime”, shtoi ai. Më pas Lila u shpreh se nuk e di emrin e ushtarit, nuk di as nga cili qytet vjen. Por shtoi se dëshiron që të takohet këtë verë, pasi në këtë stinë është realizuar fotografia.

“Dua ta takoj tani në verë. Por për shkak të pandemisë nuk dihet ende kur të bëhet takimi. Dua që ushtari të ketë uniformën ashtu si në foton e parë, edhe mjeti ushtarak të jetë në sfond. Dua një foto njësoj si ajo e bërë në vitin 1999”, tha i riu nga Gjakova.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re