Ishte akti final i një babai. Falë veprimit të tij heroik, sot djali i tij dy vjeçar është shëndoshë e mirë.

Tre ditë më parë në ditën e pavarësisë në SHBA, një sulm i armatosur ndodhi në rrugët e Çikagos, atje ku po zhvillohej parada e përvitshme. Ashtu si plot njerëz të tjerë, burrë e grua kishin dalë me djalin për të parë paradën për Pavarësinë. Kevini ishte 37 vjeç, ndërsa e shoqja Irina, 35 vjeçe. Ajdeni, djali i tyre, ende nuk i ka bërë dy vjeç. Të dy burrë e grua ndërruan jetë si pasojë e të shtënave, duke lënë kësisoj jetim djalin.

Kur nisën të shtënat, Ajdenin e vogël e mbrojti me trup i ati.  37 vjeçari u godit dhe ra në tokë, duke vijuar ta mbrojë të birin.

Pasi të shtënat pushuan, Aiden “po ecte në rrugë i vetëm” tregoi gjyshi i 2 vjeçarit, i cili tashmë ka barrën e rritjes së fëmijës.

CNN i ka kushtuar një artikull ngjarjes përlotëse, duke përcjellë dhe intervistën e një çifti të rinjsh që i shkuan në ndihmë vogëlushit. Dana dhe Gregu e dërguan fëmijën pranë një patrulle policie.

“Kur ndaluam tek policia, ata dukeshin sikur ishin bërë gati për luftë. Kurrë nuk do ta harroj. Ndalova aty dhe u thashë, ky djalë nuk është i yni, gjaku që ai ka nuk është i tij, çfarë të bëjmë?”-kujton Gregu, i cili tregoi se policët i thanë që momentalisht s’mund të kujdeseshin për një fëmijë.

“A mund të kujdesesh për fëmijën”-më pyeti oficeri dhe unë i thashë “po patjetër”-shpjegoi më tutje i riu.

Ajdeni mbërriti më vonë në polici, atje ku u bashkua me gjyshin e tij. 7 persona humbën jetën atë ditë, 40 u plagosën.

“Kur e mora nipin, ai më pyeste: Po mami me babin do të vijnë shpejt”-tregoi gjyshi.

Historia preku zemrat e miliona njerëzve, ndërsa familjarët hapën një gofund me për hir të vogëlushit. Deri më tani janë mbledhur thuajse 3 milionë dollarë, para që do të shfrytëzohen për të ushqimin, veshjen, kujdesin e shkollimin e Ajdenit.

Adriana, një fqinje e familjes së dyvjeçarit, mundi të identifikojë vogëlushin që ky I fundit të bashkohej me gjyshërit. Ajo tha për median amerikane këto fjalë:

Unë nuk e di sesi ata do t’i tregojnë… si mund t’i thuash një vogëlushi 18 muajsh që mami e babi tani janë në parajsë”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re