Filomena Lamberti, 64 vjeç, tronditi audiencën e konferencës kur tregoi foton e tmerrshme të fytyrës së saj të shpërfytyruar menjëherë pas sulmit me acid nga i shoqi.

Ajo tronditi dhe njëkohësisht emocionoi të pranishmit në ditën e dytë të konferencës “Forza Italia”, gjatë së cilës u diskutua për dhunën ndaj grave. Bëhet fjalë për 64-vjeçaren Filomena Lamberti, gruaja e parë në Itali që u bë viktimë e një sulmi me acid.

Me fytyrën e shpërfytyruar, Lamberti kërkoi t’i tregonte audiencës një foto të saj menjëherë pas sulmit me acid në vitin 2012 nga bashkëshorti i saj i atëhershëm. Disa u përlotën, ndërsa të gjithë qëndruan në këmbë dhe i dhanë duartrokitje të gjata gruas e cila deklaroi: “Sot jetoj dhe jam e lirë”.

Lamberti, me origjinë nga një fshat i vogël në Salerno, Italia jugore, tha se ishte e martuar për 30 vjet me një burrë dhunues derisa tre fëmijët e saj u bënë të rritur. Në maj të vitit 2012, ajo guxoi të kërkonte divorcin nga bashkëshorti i saj, por u përball me të në mënyrë agresive. Më 28 maj, duke mbajtur një shishe me acid, ai i tha “shiko çfarë do të të jap” dhe e derdhi lëngun kaustik mbi kokë, fytyrë, duar dhe gjoks.

Nga viti 2012 deri në vitin 2017, Lamberti iu nënshtrua 30 operacioneve, 10 prej të cilave në qepallat e saj. Sa i përket autorit, ai u dënua vetëm me 18 muaj burg pasi fillimisht kishte paraqitur në gjykatë një letër pendimi për aktin e tij dhe “sot është njeri i lirë”, siç theksoi viktima në konferencë.

“Është turp sepse disa ditë pas lirimit deklaroi para kamerave se do ta bënte sërish”, tha Lamberti dhe zbuloi se është gruaja e parë në Itali që sulmohet me acid dhe se pas rastit të saj ka pasur rritje të sulmeve me acid ndaj grave. /tesheshi.com/

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re