Siç dhe pritej, Dritan Abazoviç, politikani i njohur shqiptar që po “lëviz rrotën” e zhvillimeve politike malazeze, u bë kryeministër i Malit të Zi, me një kabinet që cilësohet si “qeveri e pakicës”. Njeriu që rrëzoi nga pushteti partinë e Gjukanoviçit, pas dekadash në qeverisje, rrëzoi gjithashtu dhe proserbin Krivokapiç, duke i marrë çelësat e qeverisjes.

Qeveria e re, e 43-ta në historinë politike të Malit të Zi, do të ketë 18 ministri, katër nënkryetarë dhe dy ministra pa portofol.

“Unë kam qenë zëvendëskryeministër i qeverisë së 42-të dhe jam krenar për gjithçka që kam bërë në një vit e gjysmë dhe do të përsërisja shumicën e lëvizjeve të mia”, tha Abazovic.

Ai nënvizoi se 30 gushti 2020 është një datë shumë e rëndësishme në histori, sepse atëherë doli se vota në Mal të Zi vlen diçka dhe se ndryshimi i qeverisë nuk është makth.

“Ashtu siç e zëvendësuam atë të mëparshmen, shpresoj që ta drejtojmë qeverinë e 43-të në një atmosferë shumë më të mirë”, shtoi ai.

Kështu, Ballkani bëhet me tre kryeministra shqiptare, që të tre me talent të spikatur politik dhe imponues me kulturën politike që posedojnë, duke bërë që bota shqiptare të shënojë këtë moment historik.  

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re