Në Bruksel u zhvillua sot konferenca e parë ndërqeveritare BE-Shqipëri që shënoi nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.

 

Në këtë konferencë pala evropiane kryesohej nga ministri i jashtëm çek, ndërkohë që delegacioni shqiptar kryesohej nga shefi i qeverisë Edi Rama.

 

JAN LIPAVSKÝ

MINISTER I JASHTEM, CEKI

“ Tani mund te shenojme hapjen e negociatave per anetaresimin e shqiperise ne be.  Pra moment nisi tani.”

 

Kryeministri Edi Rama zgjodhi të theksojë në Bruksel në këtë mbledhje të parë ndërqeveritare vullnetin e të gjithë shqiptarëve për të qenë pjesë e BE.

 

“Është e vështirë të besohet se kjo po ndodh. Për mjaft kohë ne luftuam kundër besimit se nuk do të ndodhte fare, megjithatë të hiqnin dorë nuk na ka shkuar kurrë në mendje. Ju e dini të gjithë shumë mirë që në Shqipëri nuk jemi dakord pothuajse për gjithçka, por ka një besim që i mbijeton të gjitha mosmarrëveshjeve tona. Nuk ka rrugë tjetër veç Bashkimit Evropian, është ëndrra jonë, sfida jonë, misioni ynë, është fati ynë!”

 

Në mesazhin e tij për Bashkimin Europian shefi i qeverisë listoi të gjitha reformat që Shqipëria ka realizuar për të merituar çeljen e negociatave duke nisur nga reforma më e fortë, ajo ne sistemin e drejtësisë.  Nga ana tjetër kryeministri ka theksuar vullnetin e qeverisë dhe institucioneve shqiptare për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin; dy prej elementeve kyç që kërkohen në çdo raport të Brukselit.

 

“Unë qëndroj këtu sot si lider i një maxhorance të zgjedhur në mënyrë demokratike, që nuk ka mbrojtur askënd nga shigjeta e drejtësisë dhe as që ka përdorur ndonjëherë shigjetën e pushtetit ekzekutiv për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve të gjyqësorit në favor të dikujt dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e kombit tonë, por sigurisht shumë hije të së shkuarës vazhdojnë. Kjo është arsyeja që ne jemi këtu, kaq të etur për të vazhduar luftën tonë në një nivel tjetër, duke shfrytëzuar sa më mirë bisedimet për anëtarësim si në mjet shtet ndërtimi të vazhdueshëm për Shqipërinë e re demokratike.”

Nga ana tjetër shefi i qeverisë Rama ka përmendur politikën e jashtme të Shqipërisë, e cila është 100% në përputhje me atë të BE.

 

“Gjatë tre viteve të fundit që kanë qenë të vështira, roli i Shqipërisë në skenën ndërkombëtare u bë gjithnjë e më i rëndësishëm, fillimisht si kryesues i OSBE dhe më pas si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, ku ne i bashkohemi SHBA-së i penëmbajtëse për luftën në Ukrainë. Ne qëndrojmë për zbatimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe respektimin e pakushtëzuar të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Ne do vazhdojmë të luajmë një rol kyç në konfigurimin e ri gjeopolitik europian duke mbetur aktiv në ndërtimin e paqes afatgjatë në rajonin tonë të ndërlikuar.”

 

Gjatë konferencës së parë ndërqeveritare kryeministri Rama nuk përmendi më Samuel Beketin dhe veprën e tij “Duke pritur godonë”, por këtë here ai zgjodhi te citojë “Mitin e Sizifit” të Albert Kamysë.

 

“Vetë lufta drejt lartësive mjafton për të mbushur zemrën e njeriut” dhe kjo është gjithashtu arsye pse Kamy sugjeron se duhet ta imagjinojmë Sizifin të lumtur. Sot unë jam i lumtur! Zemrat e njerëzve që përfaqësoj janë të mbushura me lumturi! Asnjëherë nuk mendoja se do të gjeja lumturinë në këtë ndërtesë. Ato janë të mbushura me një vendosmëri të re për të vazhduar rrokullisjen e gurëve të integrimit europian deri në majën e kodrës dhe ata janë gjithashtu të mbushur me shpresë, shpresë se përnjëherë, miti dhe politika do të copëtohen. “

 

Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat në vitin 2009. Në qershorin e vitit 2014, 5 vite më pas vendi ynë mori statusin e vendit kandidat. Në prillin e 2018 komisioni rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe 2 vite më vonë këshilli miratoi çeljen e bisedimeve, të cilat u zyrtarizuan sot në Bruksel.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re