Gjykata e Apelit në Tiranë ka ndryshuar masën e sigurisë për pesë protestuesit e arrestuar pas akteve të dhunës gjatë protestës, ku dyshohet se hodhën molotov në drejtim të godinës së Këshillit të Ministrave.

Gjykata e Apelit u mblodh sot me kërkesë të palës mbrojtëse, e cila kërkoi lirimin nga qelia të pesë protestuesve që ndodheshin në masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Dritan Hasa vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest me burg” në “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për Klement Çuçkën, Bujar Tushën, Henri Shapllon, Mirvet Tocillën dhe Semi Biçin.

Lidhur me protestën e 17 prillit, të organizuar nga PD, në total janë 11 protestues nën hetim. Pesë prej tyre u lanë në shkallën e parë në masën “Arrest me burg” dhe sot dolën nga qelia, ndërsa për gjashtë të tjerët, gjyqtari i shkallës së parë Enkel Peza vendosi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Gjykata vendosi në shkallën e parë masën “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për Bardhyl Ndoun, Sokol Bajraktarin, Igball Domin, Gentjan Tugën, Ernest Kapon dhe Edison Shytin.

Organi akuzës akuzon protestuesit e ndaluar për “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrim i pronës me zjarr”, “Kundërshtim i punonjësit të rendit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e mjeteve të rrezikshme”.

11 të hetuarit për tubimin e PD më 17 prill:

Klement Çuçkën
Bujar Tushën
Henri Shapllon
Mirvet Tocillën
Semi Biçin
Bardhyl Ndoun
Sokol Bajraktarin
Igball Domin
Gentjan Tugën
Ernest Kapon
Edison Shytin

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re