Policia hollandeze ka arrestuar drejtuesin e supozuar të një bande shumëkombëshe aziatike të drogës, një nga të arratisurit më të kërkuar në botë, shpesh e krahasuar me ish-kapobandwn meksikan të drogës Joaquin Guzman – “El Chapo”.

Tse Chi Lop, një shtetas kanadez i lindur në Kinë, u arrestua të premten në aeroportin e Amsterdamit me kërkesë të policisë australiane.

Australianët kanë udhëhequr një hetim që ka treguar se organizata e Tse është në krye të trafikut të drogës në Azi dhe Paqësor, me vlerë 70 miliardë dollarë në vit, njoftoi të shtunën zëdhënësi i policisë hollandeze Thomas Aling.

Tse pritet të ekstradohet, tha Aling, duke shtuar se arrestimi i tij në Aeroportin Schiphol kaloi pa incidente.

“Ai ishte tashmë në listën e të arratisurve më të kërkuar dhe u arrestua në bazë të inteligjencës që morëm,” tha një zëdhënës hollandez.

Policia hollandeze nuk dha detaje të mëtejshme mbi procedurat ligjore të filluara kundër tij ose nëse Tse ka një avokat.

Organizata e tij thuhet se menaxhon tregtinë e metamfetaminës, e cila është rritur pesëfish në pesë vite deri në 2019, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC).

Hetuesit pretendojnë se organizata importon metamfetaminë në më shumë se një duzinë vendesh, përfshirë Japoninë, Australinë dhe Zelandën e Re, si dhe heroinë dhe MDMA.

Në vitin 2018, ata fituan 17 miliardë dollarë

Tse është një ish-i burgosur që jetonte në Toronto, që gjithashtu ka jetuar midis Macau, Hong Kongut dhe Tajvanit në vitet e fundit, pretendojnë forcat e sigurisë nga katër shtete.

Organizata e tij ka qenë “e lidhur ose e përfshirë drejtpërdrejt në të paktën 13 raste” të trafikut të drogës që nga janari 2015, tregojnë dokumentet.

Jeremy Douglas, kreu i UNODC për Azinë Juglindore dhe Paqësor, i tha Reuters në 2019 se “Tse Chi Lop është në nivelin e El Chapos dhe ndoshta Pablo Escobarit”, duke iu referuar bosëve më të fuqishëm të drogës në Amerikën Latine.

UNODC vlerëson se organizata e Tse fitoi 17 miliardë dollarë në 2018.

Douglas e quajti arrestimin e tij një “rezultat të shkëlqyeshëm”, por paralajmëroi se mund të mos kishte aq shumë ndikim në trafikun e drogës në rajon.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re