Ditën e sotme janë mbajtur homazhet për Kosta Grillon, komentatorin e njohur shqiptar që ndërroi jetë për shkak të infektimit me koronavirus.

Drejtori i Fax News, Petrit Beci ka marrë pjesë në homazhe ditën e sotme, duke e vlerësuar Kostën si një mik mbi të gjitha por dhe një bashkëpunëtor për kohë të gjatë. Ai e quajti të padrejtë faktin që Kosta Grillo u përjashtua nga TVSH për arsye banale, sic i quan ai.

“E kam njohur prej shumë vitesh që kur ishim të rinj, por për të punuar kemi filluar në vitin 2000. Kemi punuar afërsisht 14 vite bashkë. Por na ka lidhur dhe miqësia. Kemi qenë miq dhe shokë. Kosta nuk ka qenë thjesht komentator por ka punuar si gazetar i medias së shkruar. Ka filluar të komentojë fillimisht basketball, NBA dhe më pas futboll. Ndahet një nga njerëzit që jo vetëm ka qenë profesionist por që jetonte me sportin në disa plane. Kosta ishte një nga ata që nëse do të bënte një koment hynte thellë. Gjithmonë kishte shënime me vete. Kemi humbur një nga njerëzit më të pasqyruar sportin në Shqipëri. Më vjen shumë keq që në fund me Kostën nuk u sollëm mirë. Nuk e meritonte për arsye fare banale të ikte nga TV publik. Gjithsesi kjo nuk ia ul fare vlerat por ja shton. Ajo që më bën më shumë emocional është fakti që ne si Fax ishim të fundit që bashkëpunuam me të“, tha Beci.

Në homazhe ka qenë dhe komentatori Dritan Shakohoxha, i cili në lot tregoi dhe përqafimin në fund të ndeshjes me Armeninë, kur Shqipëria u kualifikua për herë të parë në Kampionatin Europian.

Dritan Shakohoxha kishte marrë me vete dhe mikrofonin e tij të fundit si komentator, të cilin kishte vedosur ta mbante si kujtim për mbylljen e karrierës, mirëpo këtë mikrofon ai ka vendosur t’ia japë me vete në banesën e fundit Kosta Grillos.

“Kishim shpresën në zot se do të kthehej. Kosta gjithmonë është zhduk dhe është kthyer prapë në jetën e vet. Sa herë që i ka ndodh ndonjë gjë ikte dhe kthehej prapë. Për fat të keq këtë herë nuk ndodhi. Sot kam ardhur me mikronin që shihni këtu. Ky ëeshtë mikrofoni i ndjeshës së fundit që kam komentuar unë në Londër në kampionatin europian. Kisha vendosur që këtë mikrofon ta mbaja për të pasur kujtim si ndeshja ime e fundit. Me Kostën kam punuar pothuajse gjithë karrierën time. E solla këtu që t’ia jap me vete mikut tim që për fat të keq edhe ai nuk do të komentojë më asnjëherë por të paktën ta ketë me vete. Në minutën e fundit me ndeshjes me Armeninë, kur kishte mbaruar ndeshja dhe pritej vërshëllima, momenti i vetëm që s’do harroj kurrë është përqafimi bashkë. Është e vetmja gjë që mund të kujtoj. Më vjen shumë keq. Dua të kujtoj me humor dhe shaka Kostën, kështu që e jetuam bashkë këtë profesion dhe më vjen keq që jam sot këtu për këtë motiv. Kosta është unikal dhe askush nuk do të bëhet si Kosta asnjëherë”, tha Shakohoxha.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re