Gazeta disidente e Hong Kongut “Apple Daily” njoftoi mbylljen e saj sot pasi qeveria arrestoi drejtuesit e saj dhe ngriu pasuritë e tyre javën e kaluar sipas një ligji të ri të sigurisë kombëtare.

Publikuesi i gazetës, Next Digital në një deklaratë tha se Bordi i drejtorëve ka vendosur të mbyllë gazetën që nga e diela.

“Next Digital Limited me keqardhje njofton se për shkak të rrethanave aktuale që mbizotërojnë në Hong Kong, ‘Apple Daily’ në formën e tij të shtypur do të marrë fund jo më vonë se botimi i tij i fundit të shtunën më 26 qershor 2021 dhe versioni dixhital nuk do të jetë më në dispozicion më vonë sesa 23:59 të shtunën më 26 qershor 2021”, deklaroi publikuesi i gazetës.

“Kompania falënderon lexuesit tanë për mbështetjen e tyre besnike dhe gazetarët, stafin dhe reklamuesit tanë për angazhimin e tyre gjatë 26 viteve të fundit”, thuhet në deklaratë.

Më parë, revista më e madhe e kompanisë, Next Magazine, gjithashtu njoftoi se do t’i japë fund funksionimit të saj.

Kjo erdhi pasi autoritetet e Hong Kongut arrestuan një tjetër anëtar kryesor të gazetës.

Javën e kaluar, policia e Hong Kongut arrestoi 5 drejtues të së përditshmes, nën dyshimet për bashkëpunim me të huaj.

E përditshmja është në pronësi të manjatit të medias Jimmy Lai Chee-ying, i cili u arrestua vitin e kaluar dhe u ngarkua me shumë akuza sipas Ligjit të ri të sigurisë kombëtare. Nëntë të tjerë u arrestuan sipas ligjit të njëjtë.

Veprimi i policisë erdhi pasi Kina zbatoi ligjin e saj të sigurisë kombëtare në rajonin gjysmë-autonom më 1 korrik 2020.

Ligji kriminalizon qëndrimet anti-Kinë në rajon, të cilat vazhduan të shërbenin si një qendër ekonomike pasi Britania e Madhe ia dorëzoi Pekinit në vitin 1997 nën një zotim se do të gëzonte një “nivel të lartë të autonomisë” për 50 vjet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re