Me argumentin se pronarët e strukturave akomoduese kanë nëndeklaruar numrin e dhomave të rezervuara dhe çmimet e tyre, kryeministri Edi Rama paralajmëron vendosjen e një çmimi reference për hotelet nga viti i ardhshëm. Për grupet e interesit, nisma të tilla do të formalizonin tregun turistik.

 

ZAK TOPUZI

 

SHOQATA SHQIPTARE E HOTELERI-TURIZMIT

 

“Informaliteti i lartë bën që në arkën e shtetit të mos mblidhen detyrimet e duhura. Duke qenë se shteti ka bërë ulje të TVSH në 6%, është e palogjikshme që kjo industri të jetë informale në këtë moment që taksa është minimale. Qeveria kërkon me të drejtë të marrë një vlerë të caktuar minimale për akomodimin duke qenë se ka qenë informale pjesërisht.”

 

EDUARD XHEPA

 

SHOQATA E TURIZMIT, DURRES

 

“Jemi të hapur të jemi transparent me qeverinë për pagesat dhe kalimet që bëjmë sepse jemi të ndërgjegjshëm, që kur u bë TVSH 6%, që ishte kërkesë e kahershme e jona, të gjithë bizneset turistike janë të ndërgjegjshëm të deklarojnë 100%.”

 

Formula se si do të përcaktohet çmimi i referencës, sipas bizneseve hoteliere, duhet të marrë parasysh edhe faktin që sot tregu është dinamik dhe çmimet e dhomave ndryshojnë brenda orës, në varësi të kërkesës.

 

 

ZAK TOPUZI

SHOQATA SHQIPTARE E HOTELERI-TURIZMIT

 

“Nuk ka çmime fikse, turizmi sot është një industri. që mund të ndryshojë çmimi Brenda ditës ose brenda orës. Sot industria turistike është e kuotuar në tregun online dhe çmimi varion dhe vendoset me shumicë dhe pakicë. Një agjenci mund të marrë edhe gjysmën e çmimit të vendosur në booking.”

 

Vendosja e referencave në sektorin e turizmit është dëshmi se të gjitha masa e ndërmarra deri tani për të ulur informalitetin dhe evazionin nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re