Kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se në rast se nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare, atëherë Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë si dy shtete fqinje “që nuk e njohin njëra-tjetrën”.

Këto komente Hoti i bëri gjatë një konference për media pas takimit në Prishtinë me komisionarin për Fqinjësi dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Megjithatë, Hoti tha se është bërë përparim në dialog dhe se duhet gjetur forma për të tejkaluar temat e vështira për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

“Kemi bërë progres nga korriku e këndej. Me rëndësi të thuhet se ekziston konsensusi i plotë shoqëror në Kosovë për procesin e dialogut dhe sigurisht se ka tema të vështira që duhet të gjejmë formën si t’i tejkalojmë për të arritur marrëveshjen përfundimtare”, u shpreh Hoti.

Edhe zyrtari i lartë i BE-së, Varhelyi vlerësoi se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë përparim.

Sipas tij, negociatat shihet se nuk janë të lehta, mirëpo duhet zhvilluar “momentumin që është krijuar”.

“Lajçak ( i dërguar i BE-së për dialogun, Mirosllav) dhe partnerët amerikanë kanë interesim për këtë proces.

Në kohën e fundit kemi marrëveshjen në Uashington dhe shumë elemente të së cilës mund t’i gjeni edhe në planin tonë të investimeve”, -tha Varhelyi

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re