Skip to content

Hoti u përgjigjet thumbimeve të Vjosa Osmanit: Është për herë të parë kryetare, s’ka përvojë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për mediat pas mbledhjes së Qeverisë u është kundërpërgjigjur dy bashkëpartiakëve të tij, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri, të cilët në vazhdimësi e kanë kritikuar për mënyrën e menaxhimit të pandemisë dhe për punën e udhëheqjes së dialogut me Serbinë.

Për kritikën rreth mungesës së përvojës në dialog, Hoti ka thënë se kjo është hera e parë që është në krye të qeverisë ndërsa ka thënë se edhe Vjosa Osmani është e papërvojë në drejtimin e Kuvendit të Kosovës, meqenëse është hera e parë që ajo është në një pozitë të tillë udhëheqëse.

Ai ka thënë më tej se secili duhet të koncentrohet në kryerjen e detyrës dhe punëve për të cilat është zgjedhur. “Kryetarja e Kuvendit nuk ka përvojë në udhëheqjen e Kuvendit. Është detyra e saj e parë në udhëheqje. Dhe është mandati im i parë në drejtimin e Qeverisë. Të koncentrohemi secili në kryerjen e detyrave tona”, ka thënë Hoti.

Kreu i Qeverisë u është përgjigjur edhe kritikave të Lutfi Hazirit për menaxhimin e pandemisë. Hoti ka thënë se është e drejtë e secilit që të shfaqë kritikat e veta dhe se nuk mund të merret një nga një me secilin që shfaq pakënaqësi me situatën. Ai ka thënë se pandemia është duke u menaxhuar si duhet dhe se situata po futet nën kontroll.

“Kritikave nuk mund t’u përgjigjem. Është e drejtë e secilit që të shfaqë kritikat e veta. Por situata është duke u menaxhuar mirë dhe po futet në kontroll. Kjo është përgjigja ime, për çdo kritikë e cila mund të jetë legjitime”, ka thënë Hoti.

Haziri më herët e ka komentuar edhe paraqitjen e Hotit në takimin me Vuçiqin, duke e quajtur si “ka.tastrofal”.

/faxweb