Me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka uruar kryeministrin Zoran Zaev dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi.

Në mesazhin e urimit, Hoti ndër të tjera thotë që Qeveria e Kosovës është e vendosur t’i thellojë marrëdhëniet dypalëshe, në të mirë të prosperitetit dhe të ardhmes së të dy vendeve.

Më poshtë mesazhi i plotë i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti:

“I nderuar Kryeministër Zaev,

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, dua t’ju shpreh urimet më të ngrohta me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë ditë kremteje, ne u gëzohemi sukseseve të Republikës së Maqedonisë në udhën e forcimit të institucioneve demokratike dhe të integrimit euroatlantik.

Qeveria ime është e vendosur që t’i thellojë marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme bilaterale, në të mirë të prosperitetit dhe të ardhmes së dy vendeve tona.

Duke ju shprehur edhe një herë urimet më të sinqerta për festën Tuaj, i nderuar Kryeministër, më lejoni t’ju shpreh ndjenjat e konsideratës sime më të lartë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re