Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffery Hovenier ka thënë se draft statuti i  bashkësisë së komunave serbe, propozuar së fundmi nga BE, i përmbush kriteret që kërkohen nga SHBA.

 

JEFF HOVENIER

AMBASADOR  SHBA NE PIRSHTINE

“Më lejoni të ju kujtoj qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se si duhet të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe; në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese, të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë autoritete ekzekutive, nuk duhet të jetë një shtresë shtesë e qeverisë. Ne besojmë se ky draft-statut i përmbush të gjitha ato kritere.”

 

Por ambasadori theksoi se fjalën e fundit në lidhje duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

 

“Por, në të vërtetë ekziston një subjekt që në fund mund të marrë vendimin nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës apo jo, dhe kjo është Gjykata Kushtetuese. Është bërë një punë e kujdesshme në hartimin e statutit dhe dispozitave në fuqi për të siguruar që i vetmi organ në Kosovë që në fakt ka aftësinë dhe autoritetin për të përcaktuar kushtetutshmërinë e saj është Gjykata Kushtetuese, ajo do të ketë mundësi ta bëjë këtë para se të hyjë në fuqi”

 

Sa i përket publikimit të këtij propozimi euroamerikan, Hovenier deklaroi se nuk ka asgjë sekrete, por ka të bëjë me negociata diplomatike. Më tej ambasadori amerikan theksoi gjithashtu se ka pritshmëri të larta për të ecur sa më shpejt me procesin, për të vlerësuar kështu edhe angazhimin e liderëve kryesorë europianë.

 

“Ka kërkesë që gjërat të lëvizin shpejt. Qeveria e Kosovës nuk ka arsye për të mos ecur përpara me këtë draft-statut. Nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin, ka të bëjë me zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve që kanë Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e Ohrit. Këtë dëshirojmë të shohim”

 

Jo zyrtarisht, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka pranuar propozimin  e 21 tetorit për formimin e asociacionit.  Nga ana tjetër, Presidenti Aleksandër Vuçiç vazhdimisht ka deklaruar se nuk do ta njohë Kosovën si shtet i pavarur, kusht ky për integrimin e Serbisë në BE.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re