Pasditen e sotme në dyert e SPAK u paraqit Lulzim Basha, i thirrur nga ky institucion si një person në dijeni lidhur me 4 protestues që u vranë në bulevard në 21 janar të vitit 2011.
Avokati Arbër Hoxha tha për ‘Real Story’ se SPAK duhet ta bëjë bashkëpunëtor Bashën dhe se është një personazh kyç për ngjarjen e 21 janarit.
“Në krye të ministrisë së brendshme ishte Basha gjatë kohës së 21 janarit. Atëherë ishte krahu i djathtë i Berishës, shpërdorimi i detyrës është i lidhur me kryerjen ose moskryerjen e veprimeve. Basha ka përgjegjësitë e veta qoftë dhe me veprime që kanë sjellë humbjen e jetëve. Prokuroria e Posaçme është thjesht në hapat e parë dhe e ka thirrur si person në dijeni. Do të ishte në nderin e Bashës dhe strukturën e Prokurorisë që Bashën ta bënte bashkëpunëtor të drejtësisë. Dhe nëse ka një fije faj do të ishte në të mirën e tij të bashkëpunonte dhe të zgjidhte këtë mjegullnajë.”
Gazetarja Etleva Delija zbuloi për ‘Real Story’ se mbrëmjen e 21 janarit një zonë e ngjarjes u pastrua nga policia. Sipas saj, pamjet nga serveri ishin fshirë
“U prishën një pjesë e provave atë natë. Ka pasur vetëm punonjës policie dhe ishte një zonë që po pastrohej. Pasi u bë rikëqyrja e serverit nga FBI u pa që pamjet ishin fshirë.
Nuk janë fiksuar si duhet plumbat në kangjella dhe nuk është analizuar faza e përshkallëzimit të protestës që mund të ishin përdorur plumba të tjerë. Unë kam qenë dëshmitar që njerëzit janë rrëzuar dhe nuk e kuptonin a u ra të fikët apo u vranë.
Shenjat e plumbave nuk janë fiksuar siç duhet. Gardistët qëlluan në lartësinë e njeriut.”
