Gazetari Artan Hoxha ka folur këtë të enjte rreth krijimit të strukturës së re policore, FAST.
Hoxha e ka cilësuar përfshirjen e ish-komandove në këtë njësi si diçka pozitive, pasi, sipas tij, një pjesë e tyre mbeten të papunë kur kthehen nga misionet e NATO-s.
Teksa fliste në emisionin “Top Talk”, Hoxha shtoi se ka pasur raste kur komandot janë përdorur edhe si ekzekutorë për grupet e strukturuara kriminale.
“Nuk kam dyshim për përgatitjen e këtyre djemve.
Madje më vjen mirë që një pjesë e trupave tona paqeruajtëse në Afganistan dhe Irak, që kanë qenë përballë një armiku real, po shfrytëzohen sepse janë harxhuar miliona lekë, ata janë makineri e luftës kundër krimit dhe po përdoren për rendin dhe sigurinë.
Ndërkohë, kolegë të tyre vitet e fundit i kemi parë t’i përdorin grupet e strukturara kriminale.
Pra ne kemi komando të FA-së tashmë të lënë pa punë që janë kthyer në ekzekturorët e grupeve kriminale, të cilët janë të ftohtë, të pamëshirshëm dhe të vështirë për t’u kapur”- tha Artan Hoxha.
Struktura e FAST do të përbëhet nga 50 ish-anëtarë të Forcave të Armatosurave, trupave komandove apo Forcave Speciale të ushtrisë.