Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch (HRW) paralajmëroi se Filipinet mund të përballen me sanksione serioze për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në luftën e saj të përgjakshme të cilën presidenti i këtij vendi Rodrigo Duterte e drejton kundër trafikantëve të drogës.
Zyrtari i HRW-së John Fisher, ka deklaruar se Filipinet mund të ballafaqohen me sanksione serioze ekonomike dhe përjashtim si anëtare e Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut UNHRC, e cila numëron 47 shtete.
“Ne besojmë se Filipinet shkelin detyrimet e saj që dalin nga anëtarësimi dhe se Asambleja e Përgjithshme duhet të shqyrtojë përjashtimin e Filipineve nga UNHRC-ja”, ka thënë Fisher, kreu i Human Rights Watch në Gjenevë, shkruan aa. Duke theksuar se anëtarësimi në Këshill është një privilegj për anëtarët e atij organi, Fisher tha se kjo gjithashtu përfshin detyrimin për respektimin e të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimin me atë organizatë.
Ai kujtoi se 39 vende kanë bërë deklaratën e përbashkët në të cilën dënohet dhuna dhe vrasja e mijëra njerëzve në luftën anti-drogë në Filipine.
“Ka një gamë të gjerë të sanksioneve që mund të vendosen ndaj Filipineve. Sigurisht, aty janë edhe sanksionet ekonomike, veçanërisht ato në nivel dypalësh”, tha Fisher, duke shtuar se Kombet e Bashkuara duhet të reagojnë ndaj dhunës në Filipine.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re