Gjyqtarja e Gjykatës së Shkodrës, Luveda Dardha u përball të mërkurën më 9 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrën e provës të kaluar për kriterin e pasurisë dhe për një raport negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për figurën, që ajo e cilësoi fyes.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Dardha po kryhet nga trupa e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Luveda Dardha përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe u caktua për një periudhë stazhi në Gjykatën e Tiranës. Prej vitit 2014, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Gjetjet për pasurinë

Barra e provës kryesore që i është kaluar gjyqtares Luveda Dardha për pasurinë, ka të bëjë me burimin e ligjshëm të një huaje të marrë nga prindërit në shumën 36 mijë euro, që ka shërbyer për pagesën e një prej kësteve të apartamentit që ajo dhe bashkëshorti kanë blerë në Tiranë në vitin 2016 kundrejt çmimit 80 mijë euro.

Si burime për apartamentin ajo ka deklaruar edhe një kredi në shumën 7 milionë lekë, përfitimi dhe shlyerja e të cilës ka rezultuar pa probleme, si dhe 2000 euro kursime nga pagat e saj e të bashkëshortit, vlerë për të cilën u konstatua pamundësi financiare.

Relatori Komici pohoi se nuk ishte arritur të vërtetohej me dokumentacion ligjor burimi i të ardhurave të prindërve të subjektit që kanë shërbyer për krijimin e vlerës 36 mijë euro të dhënë hua prej tyre.

Si burim për kursimin e kësaj shume nga prindërit, subjekti ka deklaruar të ardhurat e tyre nga aktiviteti privat në tregun industrial në Fier si shitës ambulantë për periudhën 1993-2001; të ardhura të përfituara nga babai në emigracion dhe nga shitja e dy apartamenteve, një në Fier dhe tjetri në Tiranë.

Sipas Komicit, ka rezultuar se babai ka pasur depozita në vlerën 56 mijë USD që janë tërhequr prej tij në vitin 2004. Ai vijoi se duket se nuk provohet burimi i krijimit të depozitave që janë tërhequr në vitin 2004 dhe se nuk është e qartë nëse ato shuma janë përdorur për dhënien e huasë që ka shërbyer për shlyerjen e një pjese të çmimit të apartamentit.

Gjyqtarja Dardha deklaroi gjatë seancës dëgjimore se kishte dorëzuar prova për të vërtetuar aktivitetin privat të prindërve. Ajo theksoi se për shitësit ambulantë në atë periudhë paguhej një tarifë vjetore, ndërkohë që prindërit i paguanin Bashkisë Fier një vlerë modeste çdo ditë për vendin ku tregtonin artikujt industrialë.

“Edhe pse janë dorëzuar prova indirekte provohet, se të ardhurat kanë rrjedhur nga aktiviteti tregtar”, deklaroi Dardha dhe shtoi se kishte vendosur në dispozicion një vërtetim të Bashkisë Fier ku thuhej se taksat vendore kishin filluar të aplikoheshin në vitin 2006.

Dardha pohoi se kishin arritur të gjenin inspektorin që mblidhte tarifën ditore për shitjen në treg dhe se ai kishte nënshkruar deklaratë noteriale ku konfirmonte se prindërit e saj kishin ushtruar këtë aktivitet për vite me radhë. Ajo tha se Bashkia e Fierit ka lëshuar një vërtetim me të cilin provohet se personi në fjalë ka ushtruar detyrën e inspektorit.

Gjithashtu, Dardha tha se kishte dorëzuar edhe deklarata noteriale të tregtarëve të tjerë që konfirmonin se prindërit e saj e kishin ushtruar aktivitetin në periudhën e deklaruar.

“Në këtë rast unë dhe prindërit jemi në pamundësi objektive për të dokumentacion ligjor vërtetues për realizimin e këtyre të ardhurave”, theksoi Dardha dhe shtoi se fakti që ata kishin zotëruar dhe shpenzuar likuiditete, si dhe provat e dorëzuara, vërtetonin se i kishin krijuar të ardhurat nga aktiviteti i tregtisë.

Ajo i paraqiti Komisionit edhe një analizë ligjore lidhur me legjislacionin e asaj periudhe që rregullonte veprimtarinë e biznesit të vogël.
Nga analiza financiare e KPK ka rezultuar pamundësi financiare edhe për kursimin e shumës 2000 euro nga subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti i saj, vlerë që ka shërbyer për pagesën e këstit të tretë.

Dardha pretendoi se kishte një pasaktësi në përllogaritjen e të ardhurave të bashkëshortit, pasi sipas saj janë më të larta. Ajo deklaroi se deri në vitin 2014 kishte jetuar me prindërit dhe kërkoi që, ashtu si janë përllogaritur shpenzimet familjare, ashtu edhe të konsiderohet mundësia e përbashkët e kursimeve.

Dardha kundërshtoi edhe konstatimin për pamundësi financiare të blerjes së një automjeti në vitin 2015 për çmimin 2000 euro, si burim krijimi së të cilit ishte deklaruar një hua e marrë po nga babai i saj në shumën 336 mijë lekë.

Nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2012-2016, duke mos u përfshirë vlera 36 mijë euro e dhënë hua nga prindërit për blerjen e apartamentit, ka rezultuar balancë negative në shumën rreth 4 milionë lekë.

Dardha tha se ka dhënë shpjegime të hollësishme për balancat negative. “Nëse përllogaritet si detyrim huaja e marrë nga prindërit për blerjen e apartamentit, atëherë rezultoi me balancë pozitive”, theksoi subjekti i rivlerësimit.

Figura dhe profesionalizmi

DSIK ka dorëzuar dy raporte të ndryshme në Komision, ku në të parin ka konstatuar përshtatshmërinë e gjyqtares Dardha për të vazhduar detyrën – ndërsa në të dytin ka ngritur dyshime për përfshirjen e saj në korrupsion pasiv dhe ndikim në çështje të tjera.

“Jam ndier shumë e fyer nga raporti i dytë i DSIK-së pasi nuk ka lidhje me personin tim. Nga fillimi i detyrës kam punuar me shumë ndershmëri, seriozitet e profesionalizëm” theksoi ajo dhe e konsideroi plotësisht të pavërtetë konstatimin e DSIK-së.

Komici tha se, nisur nga informacionet e siguruara gjatë hetimit administrativ, janë verifikuar dy dosje, ku në një rast ka rezultuar se Dardha nuk ka qenë gjyqtare e çështjes.

Ajo u pyet nga Komisioni dhe vëzhguesi i ONM-së lidhur me çështjen tjetër, një vendimmarrje për pezullimin e dënimit një personi të arrestuar për shitje të narkotikëve, pasi ishte ndaluar me një sasi prej 60 kg cannabis sativa.

Relatori Komici pohoi se prokuroria kishte kërkuar dënimin me 7 vite burg, ndërsa gjykata ka vendosur 6 vite heqje lire.

Në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimi është reduktuar në 4 vjet dhe në përfundim gjyqtarja Dardha ka vendosur dënim alternativ duke e liruar menjëherë të pandehurin dhe vendosjen e tij në shërbim prove për një periudhë 6-vjeçare.

Dardha pretendoi se vendimi i saj ishte i drejtë. Ajo shpjegoi se i pandehuri kishte kryer më shumë se një vit në paraburgim në kohën e dhënien së vendimit; se ai nuk kishte kryer më parë ndonjë vepër penale; se ishte baba i pesë fëmijëve, katër nga të cilët të mitur dhe se jetonin me asistencën sociale që përfitonte bashkëshortja.

Lidhur me konstatimin për dorëzimin me vonesë të tre dosjeve, Dardha tha se dy prej tyre ishin dorëzuar në afat. Për dosjen tjetër tha se afati maksimal kishte qenë ditë pushimi dhe se e kishte dorëzuar ditën e parë të punës.

Pyetjes së Komicit, nëse dikush kishte ndërhyrë në ndonjë çështje të gjykuar prej saj, Dardha ju përgjigj prerë “jo”.

Në përfundim gjyqtarja Luveda Dardha deklaroi se kishte zbatuar vetëm ligjin dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 11 qershor, ora 09:30.

/BIRN

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re