Teksa shifrat e infektimeve nga Covid janë duke u rritur dita ditës, shumë qytetarë shprehen se një ashpërsim i mëtejshëm i masave do të sillte një rrënim ekonomik për familjet e tyre.

Qytetarët janë në një zë kur thonë se pastërtia dhe kujdesi personal është një faktor kyç në luftimin e Covid, ndërkohë që thonë se kufizimet e mëtejshme do të ishin të papërballueshme.

Më poshtë disa nga deklaratat e qytetarëve për gazetaren e Fax News Edona Haklaj:

“Do na rrëonte ekonimikisht, të mbajnë rregullat, vetëm sa dëmton ekonominë, e gjithë bota po vdes nga 300-400, se vdiqën 10… duhet të lirohen më shumë masat”.

‘Më mirë të vdesim fare’.

‘Të mbyllen shkollat, dhe lokalet, por jo puna’.

“Unë i vjetër jam, të jeni shëndoshë e mirë ju të rinjtë. Heqja e kufizimit të jep edhe pak alegri, ndihmon ekonominë, çdo kohë ka pasur sëmundjet e veta, është sipas baballarëve që kemi ne në krye. Unë jam 80 vjeç, hudhra është e gjitha, e fus një thelb unë në gojë, pse kam gajle unë se vjen era.

Ka të drejtë njeriu që të mbrojë veten e vetë. Unë mbaj maskën, mbaj distancën, duhet ta bëjë njeriu vetë. Unë jam i vjetër por po të mbash pastërtinë, edukatën e pastërisë vetjake, duhet të lahesh përditë, e lamja është baza, ka njerëz që rrinë dy javë pa larë këmbët, i ka mbledhur të gjitha Tirana këto”.

“Duhet të rriten kufizimet, duhet me u ashtu, se është një virus që nuk shihet kur vjen, nuk dihet se nga vjen, për mendimin tim duhet shtrënguar. Për mendimin tim duhet të jepet një masë e përkohshme, derisa sa të stabilizohet gjendja te popullata. Disa i respektojnë maskat, nuk e shohin se nga vjen virusi dhe e quajnë si punë koti, por kjo është një luftë e rrezikshme, që vjen pa plumb”.

“Besoj se duhet të shtrëngohen më shumë, pasi ka rritje shumë të madhe të rasteve. Unë jam studente, dhe mendoj se hapja e universiteteve do të sillte një përkeqësim të gjendjes. Shqiptarët janë një popull i papërgjegjshëm”.

“Besoj se masat janë të mjaftueshme, secili duhet të ruajë veten, kjo puna e lokaleve gjithmonë është me rrisk, në lokal do nuk do je i ekspozuar, megjithatë kështu e ka parë të arsyeshme qeveria. Se bllokohej ekonomia”.

“Ajo vdekje njësoj është, si të vdesësh nga Covidi si të vdesësh nga varfëria.”

“Unë vë re lokalet ku rrinë të rinjtë, autobusat i ke plot, nuk i respektojnë fare distancat”.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re