Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me vdekjen e 6 pacientëve të infektuar me Covid përgjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, duke bërë apel që të mos konsiderohen numra, ndërsa shpreh pikëllimin e saj për humbjet e mëdha.

Osmani ka bërë thirrje që të kalohet sa më shpejt në Kuvend Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, ‘të cilin e kemi inicuar dhe hartuar në Kuvend qysh në prill, por ta sjellë urgjentisht në mënyrë që të mund ta amandamentojmë dhe pastaj miratojmë’.

Më tej, Osmani e vlerëson virusin si vdekjeprurës dhe bën apel që të mos dëgjohen ata që minimizojnë rrezikun.

Reagimi i plotë: Sot ishte ditë e rëndë për Kosovën. Humbëm gjashtë jetë njerëzish nga virusi Covid-19. Jetët, edhe kur shtrëngohemi t’i përmbledhim në numra, nuk janë numra, sepse prapa secilës jetë, prapa secilës humbje, qëndron një histori njerëzore, qëndron dhimbja e prindërve për fëmijët e tyre ose e fëmijëve për prindërit dhe në fund dëshpërimi për humbjen e madhe.

Ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre. Ndaj dhimbjen me secilën familje të prekur dhe lutem që të sëmurët nga virusi të shërohen sa më parë. Bëj thirrje edhe një herë që mbrojtja e të drejtës në jetë të vendoset prioritet mbi prioritetet, sepse as ekonomia e as fushat e tjera nuk do të mbijetojnë nëse nuk sigurojmë shëndetin e popullatës sonë. Qeveria duhet mos ta mbajë më peng Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, të cilin e kemi inicuar dhe hartuar në Kuvend qysh në prill, por ta sjellë urgjentisht në mënyrë që të mund ta amandamentojmë dhe pastaj miratojmë. Ky ligj është posaqërisht i nevojshëm për t’i dhënë kompetenca shtesë organeve ligj-zbatuese në mënyrë që të ndërmerren masa strikte për parandalimin e pandemisë.

Ky virus vret. Mos u besoni atyre që thonë se nuk ekziston. Mos u besoni as atyre që e minimizojnë rrezikun. Prandaj të kujdesemi secili për veten e familjet tona duke mbajtur maska, distancë e higjienë.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re