Gazetari Enton Abilekaj në një intervistë për Fax News, ka folur në lidhje me zgjedhjet e 6 Marsit, për të cilat thotë se nuk ishin as në dëshirën e Lulzim Bashës, dhe as të Edi Ramës, ama treguan se cila është opozita e vërtetë në vend.

Sipas Abilekajt, rezultati i zgjedhjeve të 6 Marsit, i ka dhënë një mundësi opozitës që tashmë të bashkohet, me kushtin që secili prej fituesve dhe humbësve, të përcaktohet nga vota e brendshme e anëtarësisë.

“Ky ishte një rezultat i pritshëm, votuesit e PD ishin kundër vendimmarrjes së Lulzim Bashës, ishin kundër mohimit të një Kuvendi, që sa i takon pjesëmarrjes tregoi që ishte masiv.

Lulzim Basha shpresoi që 6 Marsi të mos ndodhte, prandaj Lulzim Basha e quan këtë një kurth që iu bë nga Ilir Meta, 6 Marsin nuk e donte as Edi Rama, që priste që deri në zgjedhjet lokale të 2023 të kishte një opozitë të hallakatur.

6 Marsi ishte një mundësi, që opozita tashmë të bashkohet, Lulzim Basha nuk duhet ti prishë më punë opozitës, duhet të jetë ai i pari që të iki, pasi nuk ka asnjë pengesë tjetër”, u shpreh Abilekaj.

Sa i takon kërkesës së disa deputetëve demokratë, që i kanë dalë së fundi kundër Bashës, Abilekaj tha se ata nuk mund të pretendojnë që Berisha të mos kandidojë për kryetar partie, sa kohë që gëzon mbështetjen e të paktën 2/3 të anëtarësisë.

“Qoftë Gjekmarkaj qoftë Grida Duma, nuk e kanë të drejtën që të flasin për koalicionin Shtëpia e Lirisë, sa kohë që PD u rendit si forcë humbëse. Mënyra sesi e çojnë zgjidhjen këta është më keq, nuk mund të vësh kushte pasi ke humbur.

Humbësit të japin kontributin e tyre, duke menduar një zgjidhje në respekt të shumicës, zoti Berisha nuk ka vënë kushte, ai ka thënë që do të garojë me këdo, në rast se do të respektohet vota e lirë. Çfarë do të bëjmë, të iki Basha në mënyrë që të vijë një nga këta, me një logo të përçarë?

Humbësit nuk mund të vënë kushte, ata që e katandisën PD në qindarka votash, nuk mund të vënë kushte, kjo ska lidhje fare me politikën, më vjen keq se janë emra të nderuar, vota sjell fituesin dhe humbësin.

Këta mund të jenë një fraksion shumë i rëndësishëm i PD-së në rast se kalohet në votim, a duhet të largohet Berisha apo jo, ky është një vendim që i takon atij. Duke kujtuar rrethanat kur Berisha u shpall non grata, ai e paralajmëroi që do të rikthehej në garë, në rast pezullimi apo përjashtimi nga Partia Demokratike. Berisha e ka të drejtën morale të kandidimit për kreun e PD-së“, u shpreh gazetari.

E vetmja rrugë sipas Abilekajt, për të ringritur PD-në, që më pas të bëhet dhe udhëheqëse e të gjitha forcave opozitare, është një proces i hapur zgjedhjesh, brenda vetë kësaj force politike.

“Të gjithë duhet të punojnë tashmë për të krijuar një model zgjedhjesh të brendshme, të ketë përfaqësues nga të dyja palët, që për disa muaj të ketë një proces votimi, ose takimesh me anëtarësinë, PD duhet të rihapë garën, dhe të jetë e hapur dhe për ata që nuk janë anëtar të PD-së. E vetmja gjë që mund të bëjnë ata është që të rikthehen te vota.

Në Shtator  ne duhet të kemi një opozitë, por për këtë duhet patjetër që të fillojë një proces në 22 Mars, ata deputetë që nuk përfaqësojnë asgjë, që ata të fillojnë të ripërfaqësojnë elektoratin, duhet të jenë pjesë e një gare.

Këta që mendojnë se do të rrijnë deputetë, duke i shërbyer Lulzim Bashës, duke thënë që Berisha të largohet, nuk duhet të rrinë deputet. Duhet të ikin ata që nuk votohen, nëse Berisha votohet nuk ke se çfarë i bën, është e drejta e tij që të vendosë nëse do të largohet apo jo”, tha Abilekaj.

I pyetur nga gazetarja Lusi Përgjegji, se çfarë ndodh nëse Basha bën rezistencë dhe nuk jep dorëheqjen, Abilekaj tha se kjo do të shtynte agoninë e opozitës, e madje mund të çonte në zhdukjen e vetë logos së PD-së, duke i shërbyer në këtë rast Edi Ramës.

“Nuk e di sa të afta janë strukturat e PD për ta larguar Lulzim Bashën, duke ditur që Kryesia apo Këshilli Kombëtar janë emëruar prej tij. Shkarkimi është i vështirë, pasi ai ka marrë nën kontroll gjithçka, mbetet në vullnetin e Lulzim Bashës që të largohet, nëse do ta përdorë logon e PD për të ndihmuar Edi Ramën duke e përçarë opozitën.

Lulzim Basha mund të zgjedhë që të ndihmojë Edi Ramën, duke shkatërruar opozitën, kjo do të jetë deri në zgjedhjet e tjera lokale, ku logoja e PD do të merrte fund, duke e shtyrë rimëkëmbjen e opozitës, për të paktën dhe një vit’, përfundoi Abilekaj.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re