Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i ka kërkuar autoriteteve spanjolle informacione për letër-porosinë në lidhje me rastin e Saimir Sulës, i riu i cili humbi jetën në rrethana misterioze në një spital në Barcelonë.

Shqiptari humbi jetën më 9 maj të vitit të kaluar në një spital të Spanjës, pasi kishte shfaqur shenja covidi, ndërkohë që familjarët e tij denoncuan rastin në prokurori, pasi pretendojnë se atij i mungonte organi i zemrës. Gjonaj zhvilloi sot një takim online me ministrin spanjoll të Drejtësisë, ku u diskutua dhe çështja në fjalë.

Gjonaj i kërkoi homologut spanjoll, Juan Carlos Campo Moreno ndjekjen me prioritet të ekzekutimit të kërkesës shqiptare për ndihmë juridike të dërguar nga Ministria e Drejtësisë më datë 09.02.2021 në lidhje me procedimin penal të filluar nga Prokuroria e Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të Shitblerjes së paligjshme të organeve, në kuadrin e hetimeve dhe verifikimeve që po kryhen lidhur me rezultatet e autopsisë së bërë.

Ministri i Drejtësisë i Spanjës garantoi për mbështetjen e tij në këtë kërkesë që lidhet me një ngjarje me ndjeshmëri të madhe humane dhe publike.

Aktualisht mësohet se po kryhen hetime lidhur me rezultatet autopsisë së Sulës. Ishte motra e tij, Majlinda Sula ajo që ngriti pretendime për mjekim të gabuar në Barcelonë çka solli nisen e hetimeve në Tiranë.

Në dosjen e Prokurorisë së Tiranës siguruar nga “Balkanweb”, sqarohej se viktimës jo vetëm që nuk i ishte injektuar medikamenti që pretendonin mjekët në Barcelonë, por ai rezultonte të mos kishte as zemrën, çka ngre dyshime të forta se kemi të bëjmë me një rast të shit-blerjes së organeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re