Skip to content

Humbi zgjedhjet, Basha: Nga 25 Prilli PD doli më e fortë dhe më e bashkuar, nuk mund të bëhemi të këqij dhe të korruptuar si Edi Rama

Kreu i PD-së Lulzim Basha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, tha se PD doli më e fortë dhe më e bashkuar nga zgjedhjet e 25 Prillit, të cilat sipas tij nuk kishin asnjë lidhje me demokracinë. Basha tha se PD u bë pjesë e zgjedhjeve duke përdorur vetëm mjete të ndershme, ndërsa Edi Rama është i korruptuar dhe i pabesë.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Edhe pse 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej, u bë për të penguar ndryshimin, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, sepse të gjithë bashkë luftuam me mish dhe me shpirt për të ndezur besimin dhe shpresën e njerëzve se një Shqipëri më e mirë është e mundur.

Jo duke përdorur mjetet dhe modelin e Edi Ramës, por duke e përbuzur dhe refuzuar atë.

Ne nuk hoqëm dorë nga mjetet e ndershme për të bërë politikë. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjtë dhe meskine e regjimit, as nga llumi i krimit që sot është garniturë e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që si shushunja i janë turrur trupit të drobitur të Shqipërisë.

Ne luftuam dhe besuam, sikurse ende besojmë, se mund t’i ndryshojmë gjërat në këtë vend pa u bërë më të këqij, më të pabesë dhe më të korruptuar se Edi Rama.

/faxweb