Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Kukës, Emri Vata, ka reaguar për herë të parë pas humbjes përballë kandidati të PS, Albert Halilaj.

Përmes një reagimi në Facebook, kandidati Vata shprehet se “vetëm në pushtetin e Edi Ramës skandalet politike, morale dhe shoqërore nuk reflektohen në rezultat, por e thellojnë atë në favor të shkelësve”.

Më tej ai shprehet se rezultati i zgjedhjeve është ndikuar pasi “patronazhistët dhe super-ministrat ishin në Kukës me torbën plot, të lekëve dhe premtimeve”.

Vata shprehet se misioni i opozitës për zgjedhje të lira nuk mbyllet me Kukësin.

Reagimi i plotë

Të dashur miq, të dashur bashkëpunëtorë, të dashur demokratë, të dashur kuksianë!

Dua të falenderoj, së pari strukturën e Partisë Demokratike në Kukës dhe familjet e tyre për qëndresën dhe mbështetjen në këtë sfidë të pabarabartë në shumë drejtime.

Demokratëve që më dhanë besim duke më votuar, u jam përherë mirënjohës.

Miqve që më mbështetën vazhdoj të jem borxhli dhe mirënjohës.

Përsëritja e asaj që të gjithë bashkë e kemi parë me sy është e panevojshme. Dua të theksoj se vetëm në pushtetin e Edi Ramës skandalet politike, morale dhe shoqërore nuk reflektohen në rezultat, por e thellojnë atë në favor të shkelësve.

Patronazhistët dhe super-ministrat ishin në Kukës me torbën plot, të lekëve dhe premtimeve, por tabloja e Kukësit të zbrazur në 10 vitet e pushtetit të tyre flet pa pasë nevojë për dorëzanë.

Rezultati i zgjedhjeve, me gjithë deformimet, presionin, shitblerjet e votës, krimin shtetëror duhet lexuar me kujdes.

Ne sot mbyllëm një fushatë, por jo misionin tonë që në Kukës dhe në gjithë Shqipërinë të kthejmë zgjedhjet e lira.

Uroj që vota e çdo qytetari Kukësian , të mos shpërdorohet.

Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje.

Miqësisht,

Emri VATA

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re