Të paktën 2 ushtarë azerbajxhanas humbën jetën të dielën pasi forcat armene hapën zjarr në rajonin e Karabakut, njoftoi të dielën Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit.

Duke shprehur ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e ushtarëve, ministria tha se “si rezultat i provokimit nga formacionet ilegale armene”, jetën humbën Alibeyli Shakhriyar Ramiz dhe Huseynov Eshgin.

Sipas mediave armene, në përleshje kanë mbetur të vrarë 3 policë armenë.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Kaukazin e Jugut dhe krizën në Gjeorgji, Toivo Klaar shkroi në Twitter se ai ishte kthyer në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, për bisedime për ta çuar përpara procesin e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, ku tha se incidenti i fundit nënvizon nevojën për progres.

“Presim takime thelbësore me udhëheqjen e Azerbajxhanit për të çuar përpara procesin e paqes pas takimeve në Mynih. Incidenti vdekjeprurës sot nënvizon urgjencën e shtyrjes përpara të negociatave për të arritur stabilitet dhe një paqe të drejtë”, tha Klaar.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit në një deklaratë tha se kishte marrë informacion në lidhje me transportin e pajisjeve ushtarake, municionit dhe personelit nga Armenia në rajonin e Karabakut përmes rrugës Khankendi-Khalfali-Turshsu, ku është vendosur përkohësisht kontingjenti paqeruajtës rus që pas konfliktit të vjeshtës 2020 në rajon dhe paktit të arritur në janar 2021 mes Bakus dhe Jerevanit.

“Në mëngjesin e datës 5 mars, me qëllim të kontrollit të informacionit të marrë, është tentuar që të ndalohen dhe kontrollohen automjetet e transportit të paligjshëm ushtarak nga njësitë e ushtrisë së Azerbajxhanit. Të shtëna janë shkrepur nga ana tjetër dhe si pasojë e përleshjes ka pasur viktima dhe të plagosur nga të dyja palët”, thuhet në njoftim.

Më tej në deklaratë thuhet se Baku i ka tërhequr vëmendjen komandës së kontingjentit paqeruajtës rus se përmbushja e klauzolave të Deklaratës Trepalëshe të nëntorit 2020 midis Azerbajxhanit, Rusisë dhe Armenisë duhet “të garantohen pa kushte dhe plotësisht”.

Duke theksuar se korridori i Laçin-it është e vetmja rrugë që mund të përdoret për të lidhur Armeninë me rajonin e Karabakut, deklarata shton se ajo i kujtoi komandës së kontingjentit paqeruajtës rus se “zbatimi i transportit ushtarak dhe transportit tjetër në rrugë të tjera është absolutisht i papranueshëm”.

“Ju kujtojmë se janë vërtetuar më parë faktet e transportit të armëve, municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, përfshirë mina, karburant dhe fuqi punëtore nga Armenia në rajonin e Karabakut. Pala azerbajxhanase e ka paralajmëruar vazhdimisht komunitetin ndërkombëtar për transportin e minave përgjatë rrugës së sipërpërmendur”, thuhet ndër të tjera.

Incidenti i fundit tregon se Azerbajxhani duhet të krijojë një pikë kontrolli në korridorin Laçin thuhet në deklaratë duke shtuar se: “Fakti që Armenia ende po kryen transporte ushtarake në rajonin ekonomik të Karabakut të Azerbajxhanit paraqet agresion të vazhdueshëm dhe politikën terroriste të saj kundër Azerbajxhanit. E gjithë përgjegjësia për provokimin i takon udhëheqjes ushtarake dhe politike të Armenisë”.

Në reagimin e saj të mëvonshëm, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit bëri thirrje për zbatimin e Deklaratës Trepalëshe, duke theksuar më tej se përleshja tregon se “pikëpamjet e Armenisë mbi axhendën e paqes nuk janë gjë tjetër veçse hipokrizi dhe se Armenia nuk është e interesuar për paqen dhe sigurinë në rajon”.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, asaj të Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit dhe shtatë rajone ngjitur.

Në vjeshtën e vitit 2020, në përleshjet 44 ditore, Azerbajxhani çliroi disa qytete, fshatra dhe vendbanime nga pushtimi armen. Marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga Rusia festohet si një triumf në Azerbajxhan.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re