Sot në Londër, pas një sëmundje të rëndë u nda nga jeta në moshën 70-vjeçare, Jorgji Qirjako, filolog, historian, përkthyes i mëse 70 veprave.

Gjatë jetës së tij, ai ka kryer shumë detyra si Drejtori Shtëpisë së Kulturës Kolonjë, Drejtor i Muzeut Kolonjë dhe së fundi si zvendësdrejtor i Institutit të Marrëdhënive Ndërkombëtare, etj.

Në shkurt të këtij viti, ai u dekorua nga Presidenti Ilir Meta me Titullin “Mjeshtër i Madh” .

Qirjako ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, veçanërisht në organizimin e Muzeut Historik të Kolonjës, duke e bërë atë një nga muzetë më të pasur me objekte arkeologjike, që nga lashtësia dhe me mjaft vepra të artistëve të njohur, si Odise Paskali, Janaq Paço, Thoma Thomai, Llazar Nikolla, Guri Madhi, Agim Nebiu e shumë të tjerë.

Po ashtu, Muzeu i Kulturës Popullore, Muzeu i Arsimit në Rrethin e Kolonjës, si edhe Muzeu i Borovës kanë si hartues projekti zotin Qirjako, i cili, njëkohësisht, ka nxitur dhe mbështetur shumë artistë të shquar të vendit, të ngrenë shumë vepra përkujtimore në rrethin e Kolonjës.

Qirjako ka një meritë të veçantë në evidentimin e traditave patriotike të kulturës popullore, si edhe të figurave të shquara të historisë sonë kombëtare, nëpërmjet studimeve të ndryshme, organizimit të sesioneve shkencore dhe si autor i disa botimeve monografike.

Njëkohësisht, Jorgji Qirjako ka një kontribut shumë të madh, si në themelimin e Bibliotekës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe të Historisë të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, po ashtu edhe në fushën e përkthimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re