Janë zhvilluar këtë të premte në ambientet e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, homazhet në nder të shkrimtarit e dramaturgut Fadil Kraja, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 91 vjeçare.

Familjarë, kolegë, artistë e qytetarë shkodran kanë marrë pjesë në homazhe për përcjelljen e një prej më të mirëve dramaturgë që ka patur Shqipëria.

“Është një humbje e pazëvendësushme. Fadil Kraja ishte shumë për Shkodrën. Për mua ka qenë mësues, bashkëpunëtori, miku im. Na mbajti afër që në fëmijërinë tonë e gjatë gjithë rrugëtimit. Edhe tani që e kishte të pamundur të dilte, takimet në shtëpinë e tij ishin të veçanta”, shprehet kompozitori Zef Çoba, i cili shtoi se në çantë mban dy tekste të shkruara nga artisti.

“Në çantën time, janë dhe dy tekste të shkruara me dorën e bashkëshortes së Fadilit. Profesori ia thoshte fjalët dhe ajo i shkruante. Dhe këto tekste presin një ditë tingujt muzikor që ai m’i besoi që unë t’i hedh në pentagram. Edhe bisedat tona të fundit ishin për botën tonë krijuese. Ishte personalitet i kompletuar. Kishe kënaqësi kur dëgjoje dhe mësoje gjëra prej tij”.

Ndërkohë aktorja Merita Smaja tha për median se me të vërtetë Kraja u largua nga kjo botë, por sërish është mes nesh përmes veprave të tij të shumta.

“Iku nga kjo botë, por ai është prapë mes nesh, nuk besoj që të ketë ndonjë aktor që të mos i ketë veprat e tij në shtëpi. Shumë shpejt mund të vijë koha për një vënie apo rivënie në skenë. Sot është ditë e trishtë për qytetin dhe teatrin, por në fund të fundit sot kemi mundësi të kujtojmë vlerat e tij dhe çfarë ai na ka lënë. Ndihemi të pasur me gjithçka ia ka lënë për ne”, u shpreh aktorja Merita Smaja.

Fadil Kraja kontribuoi për afro 6 dekada në Teatrin Kombëtar dhe në atë të Shkodrës. Veprat e tij janë luajtur dhe nga trupat teatrale të Kosovës e diasporës. Kraja ka shkruar mbi 50 drama e komedi, mes tyre “Fisheku në pajë” i cili në Shkodër vetëm, është shfaqur afro 50 herë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re