Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu ka reaguar për situatën epidemiologjike në vend. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” Shehu shprehet se numri i infektimeve nga Covid është shumë më i lartë se shifrat zyrtare të publikuar. Referuar të dhënave nga INSTAT deklaron se në periudhën janar-shtator 2021 janë deklaruar 18% më shumë viktima krahasuar me në të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Më tej Shehu thekson se fshehja e përkohshme e të vërtetës është jo vetëm faj shkencor, por edhe penal, ndërsa akuzon qeverinë se e ka çuar vendin drejt përkeqësimit të situatës së COVID.

Statusi i plotë:

Covid, numri i vdekjeve dhe gjendja katastrofale e vendit, nuk mbulohet dot gjatë me gënjeshtra. Lexova dje me habi të thellë se Qeveria thotë që:

A–”Shqipëria ka këtë vit 50% humbje jete Covid më pak se viti i kaluar“! Ndërkaq vetë INSTAT deklaron 18% më shumë vdekje në periudhën Janar-Shtator 2021 nga e njëjta periudhë 2020. Numri i “vdekjeve plus”, që janë pothuajse të gjitha nga Covid apo pasojat e tij, po sipas INSTAT vitin e kaluar ishte 12,000 (si 9 mujor 9000), kur Qeveria deklaronte vetëm 2400. Pra ky 9 mujor pritet të mbyllet me 10,700 vdekje, me trend 14,500 deri në fund të vitit. Humbjet në Shqipëri prej fillimit të epidemisë arrijnë në 26,500, duke rrezikuar të jemi kështu vendi i parë në Botë për 1 million banorë.

“Vdekjet plus”, nuk mund të fshihen, ashtu si kërkohet të veprohet nga kjo Qeveri me publikimin e vdekjeve Covid duke:

1-Shënuar si shkaqe vdekje komplikacionet e jo patologjinë bazë, që është Covid.
2-Shënuar si shkaqe vdekje patologjite shoqëruese të pacientit e jo shkakun shpërthyes, që është përsëri Covid.
3-Mos rregistruar si vdekje Covid humbjet e jetëve në banesë prej tij.
4-Mos zyrtarizuar shkakun Covid të humbjes së jetës në spitalet periferike e ato private, për shkak se formalisht ato nuk lejohen të shtrojnë pacientë Covid.
5-Mos njohur si shkak vdekje pasojat post Covid, e shoqëruar kjo me mos egzistencën e asnjë strukture polivalente për ato, qoftë dhe ambulatore, në vend.

B–“Shqiperia ka reth 30% raste të reja në ditë e 50% të infektuar aktualisht më pak se vitin e kaluar”.

Qesharak ky pretendim i Qeverisë, se ndërkaq pozitiviteti i testimeve qëndron në shifra tejet të larta 25-30%, kur vendet e tjera Europiane e kanë nga 0,5-2%. Kjo tregon se numri i rasteve të reja dhe i të infektuarve është realisht shumë herë më i lartë se raportimet zyrtare. Numri i testimeve duhet rritur shumë herë, për t’ju afruar një pozitiviteti të pranueshem, gjë që pa dyshim do të ngrejë disa herë dhe zbulimin e rasteve të reja.

C–Dhe kulmi i ironisë është kur kjo ulje imagjinare e shifrave i dedikohet nga Qeveria “vaksinimit të sukseshëm”.

Kur aktualisht Shqipëria është në nivelet e 35% të popullsisë të vaksinuar, ndërsa mesatarja botërore është 49%, duke u renditur në fund të Europës e nga fundi i Botës. Dhe për më tepër në Shqipëri në shumicë janë përdorur vaksina me efekte të dyshimta, të pa certifikuara.

D–Kjo Qeveri, që kërkon të fshehë të vërtetën duke bërë rolin e strucit, duhet të kuptojë se:
–Vërtetë numri i vdekjeve Covid mund të fshihet pëkohësisht, por jo përfundimisht, sepse do të dalin të dhënat e “vdekjeve plus’, sic po ndodh.
–Se fshehja qoftë dhe e përkoheshme e të vërtetës është jo vetëm faj shkencor e profesional, por dhe penal.
–Se në këtë mënyrë nuk bëhet asgjë tjetër, vecse nuk përballohet kjo gjendje katastrofale ku kjo Qeveri e ka cuar vendin, duke e përkeqësuar atë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re