Në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, është arrestuar një shtetas serb i cili akuzohet për vrasjen e 33 kosovarëve 23 vite më parë në zonën Kristal në Pejë të Kosovës.

Në një deklaratë nga Prokuroria e përgjithshme e Budapestit për agjencinë e lajmeve hungareze (MTI), thuhet se i akuzuari është arrestuar mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Urdhër-arresti është lëshuar shtatorin e kaluar për shkak të krimeve të luftës të kryera kundër popullatës civile, thuhet në deklaratën ku informohet se i dyshuari dhe dy shokët e tij akuzohen për përfshirje dhe ndihmë në sulmin e vitit 1999 që ka rezultuar me vdekjen e 33 civilëve në zonën Kristal në Pejë të Kosovës.

Më tej në deklaratë bëhet e ditur se gjykata hungareze, do të shqyrtojë procesin e ekstradimit të të dyshuarit dhe se Prokuroria nëpërmjet Ministrisë hungareze të Drejtësisë do të kalojë në kontakt me autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re