Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka deklaruar se nuk do të mbështesin propozimin e Komisionit Evropian për ndalimin e importit të naftës nga Rusia.

Në fjalimin e tij javor në radion shtetërore hungareze “Kossuth Radio”, Orban tha se “është e papranueshme” paketa e re e sanksioneve që njoftoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për ndalimin e blerjes së naftës nga Rusia.

“Për shkak se Hungaria nuk ka port, nafta në vend aktualisht vjen vetëm me tubacione dhe nga Rusia”, deklaroi Orban, duke shtuar se “nëse embargoja e naftës pranohet, kjo nënkupton një bombë atomike të hedhur ndaj ekonomisë së Hungarisë”.

“Blerja e naftës nga një vend tjetër në vend të Rusisë është shumë e kushtueshme, por edhe kërkon një periudhë tranzicioni 5 vjeçar për Hungarinë. Qeveria do të përdorë të drejtën e vetos deri sa ky problem të zgjidhet”, tha Orban.

Ai rikujtoi se pavarësisht se Hungaria nuk e shikonte pozitive zbatimin e sanksioneve, ajo miratoi paketat e mëparshme të sanksioneve të vendosura kundër Rusisë nga BE-ja për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Orban u shpreh më tej se sanksionet e energjisë janë vijë e kuqe për vendin dhe se nuk do ta pranojnë këtë.

Orban ndër të tjera shtoi se nuk do të mbështesin as që BE-ja të përfshijë liderin e Kishës Ortodokse Ruse, Patriarkun Kirill, në listën e sanksioneve me arsyetimin se ai mbështet sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Von der Leyen në një deklaratë më 3 maj lidhur me përmbajtjen e paketës së re të sanksioneve të planifikuara për t‘u zbatuar kundër Rusisë, u shpreh se, “Po diskutojmë varësinë tonë ndaj naftës ruse. Nëse më duhet të jem e qartë kjo nuk do të jetë e lehtë. Disa vende anëtare janë të varura ndaj naftës ruse. Tani propozojmë të ndalohet nafta ruse. Ky do të jetë një ndalim i plotë i importit për të gjitha produktet e naftës së papërpunuar dhe të rafinuar ruse që transportohen nga deti dhe tubacionet”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re