Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka paralajmëruar se propozimi për të vendosur një çmim tavan për gazin rus, do të rezultonte me ndërprerje të menjëhershme të furnizimeve të energjisë ruse për Evropën.

 

Këto deklarata ai i bëri para se ministrat e Energjisë të Bashkimit Evropian të takohen për të diskutuar për këtë propozim.

 

Szijjarto shkroi në Facebook më 9 shtator se “plani për të vendosur çmim tavan vetëm për gazin rus që vjen përmes tubacioneve është krejtësisht kundër interesave evropiane dhe hungareze”.

 

“Këtë mëngjes… ne do të bëjmë më të mirën që Brukseli më në fund ta kuptojë se furnizimet me gaz nuk janë çështje ideologjike apo politike, por janë një realitet i fortë fizik”, tha Szijjarto.

 

Ministrat e Energjisë së BE-së pritet që më vonë gjatë 9 shtatorit të takohen për të diskutuar për mënyrat se si të luftojnë rritjen e çmimeve të energjisë.

 

Shtrenjtimi i energjisë është shkaktuar pasi Rusia ka ndërprerë pothuajse shumicën e dërgesave të gazit për në Evropë në përgjigje të sanksioneve që Evropa ka vendosur ndaj Moskës për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

 

Szijjarto u takua në korrik me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në Moskë për të kërkuar dërgesa shtesë të gazit për Hungarinë.

 

Hungaria, që ka kritikuar sanksionet e BE-së kundër Moskës, merr mbi 80 për qind të gazit të saj natyror nga Rusia dhe është shtet transit për një tubacion të madh të naftës që furnizon bllokun evropian.

 

Bashkimi Evropian veçse është pajtuar që të ndalojë mbi dy të tretat e importeve të naftës ruse.

 

Gjiganti rus i energjisë, Gazprom në gusht nisi të shtojë dërgesat me gaz për Hungarinë.

 

Më 8 shtator, një zyrtar i lartë nga zyra e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, paralajmëroi se Qeveria mëton që të ulë përdorimin komercial të gazit për një të tretën.

 

Gergely Gulyas, shef i stafit të zyrës së Orbanit, njoftoi synimin për uljen e konsumit të gazit për 25 për qind, duke u bërë thirrje konsumatorëve hungarezë që të përdorin elektricitetin dhe gazin në mënyrë të kujdesshme. Përjashtim në këtë synim qeveritar bëjnë spitalet dhe institucionet sociale.

 

Orban dhe partia e tij, Fidesz i kanë rezistuar presionit të BE-së që Hungaria të vendosë ndalesë ndaj gazit dhe naftës ruse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re