Traktati që ndau territorin pas luftës së Parë Botërore mbetet ende një burim ndjesish anti-liberale në Hungari.

Nënshkrimi i një traktati të vitit 1920 nuk tingëllon tamam si subjekti ideal i një teatri muzikor. Por këtë fundjavë në Hungari me qindra këngëtarë, kërcimtarë, akrobatë dhe kalorës mbushën hapësirën e madhe prej betoni të sheshit të Heronjve në Budapest për performancën e “Trianon”: një opera rrok.

Traktati Trianon ndau Hungarinë në periudhën pas luftës së Parë Botërore dhe rënies së perandorisë Austro-Hungareze. Pakti ende ka vend të veçantë në imagjinatën historike të hungarezëve, edhe 98 vjet më pas dhe e ashtuquajtura “Trauma Trianon” është një nga kollonat që mban nacionalizmin e qeverisë së Viktor Orbán.

“Trianon – fjala dhe domethënia e saj – ka nxitur pasionet në vendin tonë për njëqind vjet”, tha Gábor Koltay, producenti i rrok-operas  dhe anëtar i partisë së Orbán “Fidesz”, gjatë një konference shtypi. “Ne do të tregojmë sesi ngjarjet e vitit 1920 – gjymtimi i vendit – ndikon jetët tona”.

Orbán, i cili së fundmi fitoi mandatin e tretë radhazi si kryeministër, ka përfituar me dinakëri nga ndjesia e viktimizimit historik dhe humbjes mes shumë hungarezëve. Kjo e ka ndihmuar atë të përcjellë një agjendë të së djathtës së fortë, që këtë javë u plotësua në parlament me kalimin e ligjit të ashtuquajtur “Ndal Sorosit” që kriminalizon çdo individ dhe grup që ofron të ndihmojë një emigrant të paligjshëm.

Sipas Trianon, Hungarisë iu hoq më shumë se gjysma e territorit të para luftës dhe popullsisë. Shumë nga këta njerëz nuk ishin hungarezë etnikë, por traktati la më shumë se 3 milionë hungarezë jashtë kufijve të Hungarisë së re.

“Rreth 2 milionë të këtyre hungarezëve jetojnë pranë kufijve, në zona me shumicë hungareze, kështu që çdo traktat i drejtë bazuar mbi vetë-përcaktimin do t’i përfshinte ata”, thotë historiani András Mink.

Kur qeveria e Orbán erdhi në pushtet në vitin 2010, një nga veprimet e para ishte të caktonte “ditën e unitetit kombëtar” më 4 qershor, përvjetorin e nënshkrimit të traktatit Trianon.

Orbán i bëri shpejt hungarezët që jetojnë në shtete fqinje me të drejtën për të marrë shtetësi hungareze. Këta qytetarë të rinj – në Sllovaki, Rumani, Serbi dhe Ukrainë – kanë votuar në shumicë dërrmuese për partinë Fidesz të Orbán, duke i dhënë asaj një rritje elektorale.

Orbán e ka pikturuar veten si njeriu që ka drejtuar Hungarinë në rrugën drejt rimëkëmbjes ndaj disa prej humbjeve shpirtërore dhe morale nga “Trianon”, në mos edhe ndaj atyre territoriale.

“Që prej Trianon-it ne nuk kemi qenë kurrë kaq afër nga ringritja e vetëbesimit të kombit dhe vitalitetit të tij sa jemi tani”, tha Orbán në një fjalim vitin e kaluar. “Dhe nëse Hungaria ka një qeveri që do t’u shërbejë interesave të huaja globaliste më shumë sesa hungarezëve, ne do ta humbasim këtë mundësi historike, dhe jo vetëm për një cikël elektoral, por për dekadat e ardhshme”.

Pak hungarezë besojnë se një rindërtim i kufijve që do të risjellë tokat e humbura është i mundshëm apo edhe i dëshirueshëm, edhe pse opinioni për një gjë të tillë përcillet me raste përmes medieve pro-qeveritare. Më shumë, të dhënat qeveritare kanë apeluar për “dëmshpërblim moral” dhe kanë përdorur kujtimet e dhimbshme nga Trianon si një thirrje përbashkuese për nacionalizmin modern, dhe madje për të mbështetur filozofinë e trazuar anti-emigrantëve të Orbán.

Në një letër drejtuar banorëve për të votuar kundër kuotave të emigracionit nga ana e BE-së, në referendumin e vitit 2016 të organizuar nga qeveria e Orbán, deputeti i Fidesz, István Vitányi, shkruante: “Nga Trianon ne humbëm pjesën më të madhe të vendit dhe nuk mund të humbim tashmë pjesën e mbetur. Kështu që votoni jo”.

Kritikët e Orbán thonë se mësimet e historisë janë një prej shumë fushave ku qeveria po përpiqet të ushtrojë kontroll të shtuar. “Kemi pasur një treg relativisht të lirë të teksteve shkollore, tani praktikisht është vendosur monopoli”, thotë László Miklósi, kryetar i shoqatës së pavarur të Hungarisë së mësuesve të historisë.

Ai thotë se tekstet shkollore ofrojnë një vështrim të thjeshtëzuar për “diktatin e Trianon” dhe viktimizimin e Hungarisë. “Të gjithë ata me pak sensibilitet, mund të kenë dyshime se ajo që ndodhi me Hungarinë në vitin 1920 ishte e padrejtë, sidoqoftë, është më mirë që studentët të krijojnë vetë opinionet e tyre duke parë burimet”.

Kjo qasje është shtrirë edhe tek historia më e vonë, thotë Miklósi.

Dy vjet më parë, shoqata zhvilloi një betejë ligjore për të tërhequr një tekst shkollor të financuar nga qeveria, që e përshkruante Orbán si një hero kombëtar dhe që u kërkonte nxënësve të shkruanin një ese në mbështetje të një fjalimi kundër emigrantëve të kryeministrit.

Klasat e shkollës nuk janë vendi i vetëm ku mësimet e historisë duken të qepura sipas narratives që e portretizon Hungarinë si një viktimë të pastër. Një monument për pushtimin nazist në sheshin në qendër të Budapestit është kritikuar se ka mbuluar rolin e hungarezëve në Holokaust. Ai e përshkruan Hungarinë si kryeëngjëllin Gabriel nën sulmin e shqiponjës perandorake gjermane. Vendasit kanë krijuar një memorial rival të lëvizshëm në dyshemenë e monumentit, dedikuar “të vërtetës historike”.

Mária Schmidt, besnike e Orbán drejton “Shtëpinë e Terrorit”, muzeumin në qendër të Budapestit që dokumenton tmerret e ushtruara ndaj Hungarisë si prej nazistëve ashtu edhe prej sovjetikëve. Libri i saj më i fundit, që reklamohet rëndëshëm brenda muzeumit, është një koleksion përçartjesh kundër të ashtuquajturit Islamizim i Europës dhe emigrantëve “të vetëkënaqur dhe arrogantë” që po vënë në zbatim një plan të menduar që herët të popujve lindorë për të pushtuar Europën.

Një revistë që po ashtu kontrollohet prej Schmidt, së fundmi, hartoi një listë prej 200 “mercenarësh” të cilët supozohen se paguhen nga financieri hungarezo-amerikan Xhorxh Soros, për të shkatërruar Hungarinë – një lëvizje e dyshimtë nga dikush që drejton një muzeum të dedikuar kujtesës së viktimave të regjimeve represive që po ashtu kanë hartuar lista të ngjashme armiqsh.

Kritikët e Orbán thonë se kryeministri ka shfrytëzuar historinë e vështirë të Hungarisë për të përcjellë mesazhet e tij nacionaliste, por ata po ashtu shprehen të vetëdijshëm që peripecitë e shekullit të 20-të dhe sidomos gjymtimi nga Trianon, mundësojnë tokë pjellore për ta bërë këtë.

“Kur gjurmon rrënjët e ndjesisë anti-perëndimore dhe anti-liberale në Hungari, duhet të kthehesh në atë moment në histori, kur shumë njerëz kanë nxjerrë si mësim se idetë e lirisë dhe vetë-përcaktimit janë të vlefshme vetëm për fuqitë perëndimore”, thotë Mink.

Përgatiti: Juli Prifti –

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re