Skip to content

Hungaria nënshkruan marrëveshje me SHBA-në për furnizimin me 400 milionë metra kub LNG në vit

ap01103003767

Hungaria njoftoi sot nënshkrimin e një kontrate pesëvjeçare për furnizim me gaz natyror të lëngshëm (LNG) me kompaninë amerikane të energjisë Chevron, e cila, megjithatë, si shtet anëtar i BE-së, do të vazhdojë të mbështetet shumë te Rusia për furnizimet me lëndë djegëse fosile.

Marrëveshja e re midis Chevron dhe kompanisë shtetërore hungareze të energjisë MVM parashikon furnizimin me 400 milionë metra kub LNG në vit për pesë vitet e ardhshme, tha Ministri i Jashtëm Péter Szijjártó në një konferencë për shtyp.

Me nënsekretarin amerikan të Energjisë, James Danley, në krah të tij, Ministri i Jashtëm i Hungarisë përshëndeti “epokën e artë” të re të bashkëpunimit energjetik midis dy anëtarëve të NATO-s.

Ky vend i Evropës Qendrore me 9.5 milionë banorë mbetet partneri më i ngushtë i Kremlinit brenda Bashkimit Evropian, pavarësisht pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Hungaria po i reziston kërkesave të BE-së dhe SHBA-së për të zvogëluar varësinë e saj nga Moska për nevojat e saj energjetike.

Muajin e kaluar, kryeministri hungarez Viktor Orbán u zotua të vazhdojë importimin e hidrokarbureve ruse gjatë një takimi me Presidentin Vladimir Putin, pavarësisht planit të BE-së për të ndaluar të gjitha importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027.

Në muajt e fundit, MVM ka nënshkruar kontrata me Shell (Mbretëria e Bashkuar), Engie (Francë) dhe SOCAR (Azerbajxhan).

Falë marrëveshjes me Chevron, këto kontrata duhet t’i lejojnë Hungarisë të importojë 1.4 miliardë metra kub gaz natyror çdo vit nga burime jo-ruse.

Megjithatë, kontrata pesëmbëdhjetëvjeçare e nënshkruar nga Hungaria me kompaninë ruse Gazprom parashikon furnizimin me 4.5 miliardë metra kub në vit deri në vitin 2036. Kjo është përveç marrëveshjeve të tjera të furnizimit të lidhura vitet e fundit.

Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó kishte deklaruar më parë se shtatë miliardë metra kub gaz rus kishin mbërritur në Hungari deri në fund të nëntorit. Vitin e kaluar, Hungaria konsumoi afërsisht 8.5 miliardë metra kub.

Përshtati në Shqip S