Hungaria i ka dalë sërish kundër një nisme të Brukselit për të vendosur një tavan për çmimin e gazit rus.

Të premten ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto ka paralajmëruar se çmimi tavan për gazin rus do të rezultonte në ndërprerje të menjëhershme të furnizimeve të energjisë ruse për Evropën.

Këto deklarata ai i bëri para se ministrat e Energjisë të Bashkimit Evropian të takohen për të diskutuar për këtë propozim.

Szijjarto shkroi në Facebook se plani për të vendosur çmim tavan vetëm për gazin rus që vjen përmes tubacioneve është krejtësisht kundër interesave evropiane dhe hungareze.

“Këtë mëngjes… ne do të bëjmë më të mirën që Brukseli më në fund ta kuptojë se furnizimet me gaz nuk janë çështje ideologjike apo politike, por janë një realitet i fortë fizik”, tha Szijjarto.

Sipas tij çështja e furnizimit me energji ruse nuk është një çështje ideologjike apo politike.

Ministrat e Energjisë së BE-së pritet që më vonë gjatë 9 shtatorit të takohen për të diskutuar për mënyrat se si të luftojnë rritjen e çmimeve të energjisë.

Shtrenjtimi i energjisë është shkaktuar pasi Rusia ka ndërprerë pothuajse shumicën e dërgesave të gazit për në Evropë në përgjigje të sanksioneve që Evropa ka vendosur ndaj Moskës.

Szijjarto u takua në korrik me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në Moskë për të kërkuar dërgesa shtesë të gazit për Hungarinë.

Hungaria, e cila ka kritikuar sanksionet e BE-së kundër Moskës, merr mbi 80 % të gazit të saj natyror nga Rusia dhe është shtet transit për një tubacion të madh të naftës që furnizon bllokun evropian.

Gjiganti rus i energjisë, Gazprom në gusht nisi të shtojë dërgesat me gaz për Hungarinë.

Burimi: Ora News

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re