Hungaria ka shtyrë votimin për ratifikimin e aplikimit për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Kështu thuhet në ueb-faqen e Asamblesë Kombëtare hungareze, më 2 mars, dhe kjo është e fundit në mesin e një serie shtyrjesh që kanë irrituar aleatët perëndimorë.

Votimi është shtyrë për dy javë dhe ligjvënësit hungarezë pritet të votojnë për ratifikim në seancën e 20 marsit.

Hungaria mbetet i vetmi vend anëtar i NATO-s, që përveç Turqisë, nuk ka miratuar ende aplikimet e dy vendeve nordike për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore.

NATO-ja kërkon që të 30 shtetet të ratifikojnë aplikimet për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.

Partia e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ka mbështetur pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Por, opozita hungareze ka kritikuar partinë e Orbanit se po zvarrit çështjen e ratifikimit të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Finlanda dhe Suedia në maj të vitit 2022 vendosën që të aplikonin për anëtarësim në NATO.

Deri më tani, Turqia ka refuzuar që të ratifikojë aplikimin e Suedisë dhe Finlandës, duke u paraqitur këtyre shteteve disa kushte. Ankaraja kundërshton kryesisht pranimin e Suedisë, pasi thotë se strehon persona që i konsideron anëtarë të organizatave terroriste.

Por, së fundmi Ankaraja ka sinjalizuar se është e gatshme të ratifikojë aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO.

Burimi: Ora News

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re