Hungaria do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare të dielën, ku pritet që partia aktuale në pushtet “Fidesz” të dalë fituese.

Kryeministri Viktor Orban ka bërë qëndrimin e tij kundër imigracionit temë kryesore të fushatës, gjë që ka alarmuar Bashkimin Evropian.

“Brukseli do të përziejë popullatën e Evropës, do të zëvendësojë kulturën tonë dhe mënyrën tonë të jetesës,” është shprehur kryeministri.

Qindra mijëra imigrantë hynë në Hungari në vitet 2015 dhe 2016, dhe pjesa më e madhe e tyre synonin për të kaluar në Evropën Perëndimore, por kjo dyndje u pengua nga barriera kufitare që ngriti qeveria e Orban-it.

Nga ana tjetër, shihet Bashkimi Evropian me kuotat në përqindje të imigrantëve që priten të sistemohen nga çdo vend anëtar. Duke qenë se Hungaria e ka refuzuar këtë politikë, Brukseli ka kërcënuar se do të marrë masa ligjore.

Kjo përplasje ka shtuar mbështetjen e hungarezëve për politikat nacionaliste të qeverisë. Ata e shohin Orban-in si njeriun mbrojtës të vizionit të tyre për identitetin evropian.

“Ne hungarezët e konsiderojmë si vlerë kombëtare faktin që prej 1100 vjetësh jetojmë në Pellgun e Karpateve në pjesën qendrore të Evropës si një shoqëri homogjene hungareze, e krishterë,” tha ministri i jashtëm i Hungarisë.

Orbani me qëndrimin e tij të palëkundur kundër imigracionit dhe retorikën e fortë ka fituar një përkrahje të qartë të hungarezëve, që mendohet t’i sigurojë të dielën një mandat të ri qeverisës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re