Skip to content

Hyn në orët e natës në Hipotekën e Dibrës, Policia nis hetimet

Një ngjarje e pazakontë është shënuar mbrëmjen e kaluar, në orët e vona të natës, në ambientet e Hipotekës së Qarkut Dibër. Sipas burimeve të sigurta, një person dyshohet se ka hyrë në institucion duke pasur në përdorim një kopje të çelësit.

Për shkak të rrethanave, janë ngritur dyshime se personi mund të jetë punonjës policie, megjithatë kjo mbetet ende e pakonfirmuar zyrtarisht. Për rastin është bërë denoncim dhe Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Aktualisht po verifikohen pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personin që ka hyrë në godinë dhe për të kuptuar arsyet e pranisë së tij në një orar të pazakontë. Gjithashtu, po hetohet nëse ka pasur tentativa për të marrë apo konsultuar dosje të caktuara.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë në vijim dhe se çdo informacion zyrtar do të bëhet publik pas përfundimit të verifikimeve, duke theksuar se deri në këtë fazë bëhet fjalë vetëm për dyshime.