Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, mjekun Grei Malo, i cili zbriti në terren për t’iu dhënë ndihmë qytetarëve, gjatë ditëve të tmerrshme të pas-tërmetit të 26 nëntorit.

Në një mesazh në “Facebook”, teksa shpërndan disa foto nga momenti i vlerësimit me çmim të mjekut, Kreu i Shtetit shkruan se ai hyri nën rrënoja për të shpëtuar jetë njerëzish, në të gjitha zonat e dëmtuara.

Sipas Metës, mjeku Malo dha një kontribut të veçantë për shpëtimin e të riut Klajdi Qato.

“Me nderim dhe mirënjohje të thellë, pata sot privilegjin të vlerësoja me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, mjekun hero Grei Malo, i cili zbriti në terren menjëherë pas goditjes së tërmetit tragjik të 26 nëntorit, duke hyrë nën rrënoja e shpëtuar jetë njerëzish në të gjitha zonat e dëmtuara, dhe spikati me kontributin e tij të veçantë humanitar si anëtar i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile, për shpëtimin e të riut Klajdi Qato.

Mirënjohje Grei Malos që dha një shembull të jashtëzakonshëm të sakrificës dhe profesionalizmit, duke na bërë krenarë dhe gëzuar respektin e të gjithë shqiptarëve! Mirënjohje të gjithë anëtarëve të Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile!”, shkruan Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re