Skip to content

I akuzuar për vrasjen e ish-policit në Elbasan, gjykata shpall të pafajshëm Donald Hoxhën

Gjykata e Elbasanit le të lirë një prej personave të akuzuar për vrasjen e ish efektivit të Policisë në Elbasan, Roland Rexhepi, i njohur ndryshe edhe si “Doda”.

Bëhet fjalë për shtetasin Donald Hoxha.

Prokuroria kishte kërkuar 16 vite burg për Hoxhën, i cili u ekstradua në prill 2024 nga Britania e Madhe.

Prokuroria e Elbasanit përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Donald Hoxha për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ të ish-efektivit të policisë Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Donald Hoxha, i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.833/3 të vitit 2009, prokuroria arriti në përfundimin se shtetasi në fjalë ka kryer veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/a dhe 25 i Kodit Penal ndaj viktimës R.R. ish-efektiv i policisë i vrarë në vitin 2009. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan vijon hetimet në lidhje me zbulimin dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm në lidhje me këtë ngjarje”, njofton prokuroria në shkurt të këtij viti.

Për ekzekutimit e ish-efektivit të antidrogës, deri tani janë arrestuar 4 autorë, Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, të dy të dënuar me 24 dhe 23 vite burg, Florind Shabani, i ekstraduar në fillim të janarit 2022 nga Gjermania, si dhe Donald Hoxha.

Ndërkohë në kërkim rezulton Gëzim Ballën.

Sipas prokurorisë, të pestë dyshohet se në bashkëpunim kanë ekzekurtuar ish-oficerin e policisë.

Si u vra Roland Rexhepi

Ekzekutimi i ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 23 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët ishin të maskuar, por ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë.

Krahasimi i tyre ka bërë të mundur zbardhjen e identiteteve të autorëve, edhe pse dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani.

Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri dy vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit.

Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket një person që largohet duke çaluar, pasi ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më vonë.