Kosta Çavo nga fshati Vrisera në Gjirokastër prej 20 vitesh njihet si koleksionist i objekteve të ndryshme, disa prej të cilëve konsiderohen shekullore. Në banesën e tij, ai ka ngritur një mini-muze ku ekspozon relike të ndryshme në hekur apo dru. Ai thotë se kurioziteti i qytetarëve është i lartë ndërsa shton se nuk kanë munguar edhe vizitorët që mbërrijnë nga Shqipëria e Mesme por edhe më gjerë.

Sipas tij, shumë prej tyre nuk njohin këto sende dhe shpjegimi nga ana tij nuk ka munguar në asnjë moment. Kosta thotë se është mjaft e rëndësishme njohja se për çfarë kanë shërbyer këto objekte ndërsa e konsideron mjaft të rëndësishme vëmendjen ndaj të kaluarës e sidomos mbrojtjes së vlerave etnografie jo vetëm të zonës së minoritetit por të gjithë krahinave.

Objektet janë grumbulluar ndër vite ndërsa nuk kanë munguar edhe rastet ku qytetarë të ndryshëm kanë ofruar relike duke e pasqyruar edhe më tej ketë muze të veçantë. Vetë mosha e relikeve konsiderohet e moçme ndaj ato kanë nevojë për mirëmbajtje sidomos ato në dru.

Një objekt tepër i veçantë është edhe zinxhiri i gjetur në Manastirin e Pepelit me të cilin lidheshin personat me probleme mendore.

Sigurisht që ky nuk është një ambient i përshtatshëm ndaj dhe Kosta shpreson që bashkia Dropull të mundësojë hapjen e një muze të mirëfilltë çka do të mundësonte ekspozimin më të mirë të tyre e detyrimisht do të sillte edhe rritjen e numrit të kureshtarëve të cilët njihen dhe prekin nga afër këto relika.

Një pjese e objekteve janë gjetur në bodrumet e banesave të braktisura në Dropull. Shumë njerëz në përpjekje për të rikonstruktuar shtëpitë e tyre kanë zhbërë gjithë ç’kanë trashëguar nga paraardhësit duke nisur që nga objektet e deri kostumet popullore të traditës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re