Karim Benzema është prej tre vitesh jashtë kombëtares franceze për shkak të një historie të supozuar shantazhimi ndaj një kolegu të tij, Valbuena-s, diçka e paprovuar ende gjer më sot.

Didier Deschamps, trajneri i “gjelave” francezë, ka këmbëngulur në të shkuarën se dera e kombëtares nuk është e mbyllur për sulmuesin e Realit të Madridit, por gjithsesi e ka lënë atë jashtë grupit të lojtarëve të përzgjedhur për në Botëror.

Vendimi i teknikut ka marrë mbështetjen e Noel Le Graet-it, presidentit të Federatës Franceze të Futbollit, që në një intervistë të fundit ka deklaruar se kombëtarja franceze ka tani një stil të caktuar loje dhe nuk mund të kthehet prapa.

Shënuesi i një prej golave në finalen e Champions League-s së këtij sezoni, Benzema ka reaguar i zhgënjyer përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Twitter: “Unë kam zbuluar fytyrën tuaj të vërtetë, dhe kjo nuk është ajo që tha se më çmonte mua dhe se nuk do ta diskutonte çështjen e përzgjedhjeve të ekipit.”

Me 81 ndeshje të luajtura me Francën dhe me 27 gola të shënuar, Benzema e ka të vështirë ta pranojë faktin se është lënë mbase përfundimisht jashtë kombëtares.

“Z. Graet,” i drejtohet ai shefit të federatës franceze të futbollit, “me gjithë respektin, ju keni humbur mundësinë për të mos folur.”

Benzema ka reagur dhe më herët për pozitën e tij, i parë si i përjashtuar pa të drejtë nga kombëtarja, duke lënë të kuptohet se vendimi ka një prapavijë me shumë ngjyrime.         

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re