Ministrin gjerman i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme federale, Michael Roth, foli për mediat pas takimit të zhvilluar në selinë blu me kryetarin e PD Lulzim Basha.

Roth tha se i beson raportit të ODIHR sa u takon zgjedhjeve të zhvilluara në Shqipëri, ndërsa theksoi se problematikat duhet të adresohen përmes institucioneve. “Parlamenti është vend i duhur për t‘i çuar përpara debatet mes qeverisë the opozitës”, u shpreh ai.

“Dëshiroj t’ju falënderoj për mikëpritjen tuaj z.Basha që pata mundësinë ta shijoja në ambientet e PD. Natyrisht që të gjitha kritikat që do adresohen ndaj problematikave, do të duhet të qartësoheshin dhe duhet të bëhen përmes institucioneve. I besojmë ODIHR-t që është një institucion i pavarur, që na ka mbështetur në proceset zgjedhore, nëse kanë qenë të ndershme.

Jam dakord me z. Basha që e ardhmja e Shqipërisë gjendet në BE dhe askund tjetër. Nëse kjo rrugë do të jetë e suksesshme, kjo nuk varet vetëm nga qeveria por edhe Parlamenti dhe opozita. Uroj që pas debateve të së shkuarës të gjendet një ton konstruktiv në marrëdhëniet e qeverisë me opozitën. Unë jam në politik aktiv që prej 23 vitesh, prej 8 vitesh në qeveri. Kam qenë aktiv si në qeveri ashtu edhe opozitë, të dy këto elemente janë të rëndësishme. Në një sistem demokratik jemi konkurrent, jo armiq, dhe Parlamenti është vendi i duhur për t’i çuar përpara debatet. Shkëmbimi me z.Basha ka qenë dhe është tejet i rëndësishëm.

Komisioni Europian në muajit e shkuar ka vlerësuar në mënyrë të kujdesshme dhe kritike nëse janë përmbushur kushtet nga Shqipëria për Konferencën e Parë ndërqeveritare. Komisioni ka mbërritur në një gjykim pozitiv, që i është bashkuar edhe Qeveria Federale, dhe shpresojmë që në 22 qershor Këshilli i BE të mbërrijë në çeljen e negociatave të anëtarësimit, sikurse në vendimin për Konferencën Ndërqeveritare. Ju të gjithë e dini që ky është hap shumë i rëndësishëm në rrugëtimin europian, do të jetë rrugë e gjatë, çelja e negociatave nuk do të thotë që të gjitha kushtet janë përmbushur, por Shqipëria ka një perspektivë të sigurt në BE”, u shpreh Roth.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re