Nën organizimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës, është shënuar në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), “Adem Jashari” në Prishtinë, manifestimi “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, raporton Anadolu.

Në këtë manifestim morën pjesë krerë të institucioneve të larta të vendit, anëtarë të familjes heroike Jashari, familjarë të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, ambasadorë të huaj, pjesëtarë të FSK-së dhe prijës fetarë.

Pas homazheve pranë Obeliskut të UÇK-së në kuadër të kësaj kazerme, si dhe pas inspektimit të kuadrateve nga Presidentja dhe Komandanti i FSK-së, presidentja Osmani tha se Kosova është realitet i pakthyeshëm e shtet i konsoliduar.

Osmani tha se mosndëshkimi i kriminelëve të luftës ka trimëruar trashëgimtarët e tyre, sikurse rasti në Banjska të Zveçanit.

“Mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i kriminelëve të luftës ka trimëruar edhe trashëgimtarët siç ishte rasti me agresionin e Serbisë kundër Kosovës më 24 shtator. Por, në këtë ditë të lavdishme ua rikujtojmë se Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm. Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar sovranitet shtetëror dhe integritet territorial të qartë dhe të njohur ndërkombëtarisht, me kushtetutë dhe institucione të bazuara në vlerat dhe standardet më të larta dhe me vision të qartë drejt integrimeve euro-atlantike”, tha Osmani.

Lulzim Jashari, i biri i komandantit legjendar Adem Jashari, tha se është nder dhe privilegj të flitet para uniformës ushtarëve.

Sipas tij, armët e ushtarëve të FSK-së, janë trashëgim i armëve më të pastra në Ballkan, atyre të cilat nuk u ndotën kurrë me gjakun e civilëve.

“Arma e shqiptarit, si arma më e pastër në Ballkan, shkrepi vetëm në emër të mbrojtjes së shtetit dhe kombit. Pra, vetëm në emër të lirisë. E përsëris, vetëm në emër të lirisë. Këtë traditë madhështore duhet ta ruajmë dhe t’ua trashëgojmë brezave. Në betejat e shumta gjatë historisë, arma jonë kryesore ka qenë zemra dhe e drejta. Shqiptarit nuk i ka munguar guximi por i ka munguar municioni. Prandaj, jemi mësuar që ta qëllojmë cakun, sepse është dashur që t’i kursejmë plumbat”, theksoi Jashari.

Ceremonia u mbyll me pjesë artistike nga Bendi Frymor i FSK-së. /AA/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re