Një gjykatë libiane anuloi vendimin e organit më të lartë elektoral në vend, i cili pengoi djalin e liderit të ndjerë libian Moammar Gaddafi të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Dhoma e Apelit e gjykatës në provincën Sabha vendosi në favor të Saif al-Islam Gaddafit. Ajo hodhi poshtë vendimin e komisionit zgjedhor dhe lejoi djalin e Moammar Gaddafit të kandidojë në zgjedhjet presidenciale, bazuar në raportet e mediave libiane.

Pas gati një jave tensioni dhe ndërhyrjesh të forta të bashkësisë ndërkombëtare, zyrtarë të gjykatës kanë hyrë në zyra dhe kanë refuzuar vendimin e komisionit zgjedhor, sipas të cilit djalit të Gadafit i është refuzuar kërkesa për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale për shkak të padive të mëparshme.

Ai u dënua me vdekje

Saif al-Islam u dënua me vdekje nga një gjykatë në Tripoli në vitin 2015 për përdorim të dhunës kundër protestuesve që kërkuan dorëheqjen e babait të tij, por autoritetet rivale të Libisë e vunë në dyshim këtë vendim.

Ai kërkohet gjithashtu nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për akuzat për krime kundër njerëzimit në lidhje me rebelimin.

Zgjedhjet presidenciale të Libisë janë planifikuar për më 24 dhjetor, pas vitesh përpjekjesh të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara për të vendosur demokracinë dhe për t’i dhënë fund luftës, mes përleshjeve të përhershme midis grupeve të armatosura, një hendek të thellë midis lindjes dhe perëndimit dhe pranisë së mijëra të huajve, luftëtarëve dhe ushtarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re